Rezerva më e madhe në Evropë: Çekia në ethet e litiumit

schedule12:28 - 15 Shtator, 2023

schedule 12:28 - 15 Shtator, 2023

Në malet xeherore të Çekisë ka depozita të mëdha litiumi. Qeveria shpreson se “ari i bardhë” do të çojë përpara ekonominë e Republikës Çeke dhe do të zhvillojë rajonin e Usti. Por jo të gjithë janë entuziastë.

Qyteti Cinovec në kufirin  gjermano-çek ka nën vete një thesar. Në nëntokën e vendit që ndodhet afro 100 kilometra larg Pragës,  mendohet të jenë 3 deri pesë përqind e rezervave botërore me litium. Metali i lehtë ka fituar shumë rëndësi vitet e fundit. Kjo për shkak se litiumi përdoret, ndër të tjera, në prodhimin e baterive, pa të cilat është e pamundur të përfytyrohet transformimi  energjetik dhe lëvizshmëria me elektricitet. Çmimet për litiumin janë aq të larta saqë tani edhe Çekisë do t’i leverdiste të hapte miniera.

Sipas një studimi të  Dhomës Çeke të Tregtisë, Republika Çeke i ka shteruar të gjitha burimet e rritjes ekonomike. Prandaj vitet e ardhshme vendi kërcënohet nga një stanjacion ekonomik. Minierat e litiumit mund t’i japin ekonomisë çeke një nxitje të re, shpreson kryeministri Petr Fiala. Kur paraqiti vizionin e tij për zhvillimin e Republikës Çeke në tridhjetë vitet e ardhshme, në fillim të shtatorit 2023, ai renditi gjashtë fusha në të cilat Republika Çeke duhet të bëjë investime strategjike, ndër to, edhe nxjerrjen dhe përpunimin e litiumit.

“Litiumi është një lëndë e parë kyçe për lëvizshmërinë elektrike, veçanërisht për prodhimin e baterive. Kjo është arsyeja se pse po punojmë për të hapur minierat sa më parë, mundësisht qysh në vitin 2026,” tha Fiala.

Litium për 1 milion makina elektrike

Fshati Cinovec ndodhet në mes të një rajoni minerar. Eksplorimet  e para të bëra në vitet 2010 kanë  treguar se rajoni përmban nivele të konsiderueshme  litiumi. Pjesa më e madhe është në Çeki, por një sasi e vogël ndodhet edhe në Zinnwald të Gjermanisë. Republika Çeke ka nënshkruar tashmë një marrëveshje bashkëpunimi me Saksoninë për nxjerrjen e Litiumit. Nga ana çeke, minierat e litiumit do të operojnë nga Kompania Energjetike e Çekisë (CEZ) që kontrollohet nga shteti.

Llogaritet që në Cinovec të prodhohen 2,25 milionë tonë mineral në vit, gjë që do të mundësonte prodhimin e pothuajse 30 000 tonësh  hidroksid litiumi. Sipas vlerësimeve aktuale, sasia e xeherorit të nxjerrë duhet të jetë e mjaftueshme për të prodhuar pothuajse një milion bateri makinash në vit.

Republika Çeke planifikon t’i prodhonte vetë bateritë, në një gigafactory . “Ne mund të mbulojmë të gjithë zinxhirin nga miniera, përpunimi, prodhimi i baterive, prodhimi i çipeve deri në prodhimin përfundimtar të makinave,” tha Fiala. Ai shpreson se minierat e litiumit mund të bëhet një motor ekonomik për rajonin.

Rajoni litiumi dhe jo më rajon qymyri?

Rajoni Ústí është një nga më të varfrit në Republikën Çeke. Deri në vitet 1990 të ardhurat kryesore rajoni i merrte nga linjiti. Por fundi i prodhimit të energjive fosile ka lënë probleme të mëdha strukturore dhe plagë në peizazhe, më shumë se 100 vendbanime gllabëruan atëherë nga gërmuesit.

Është llogaritur se periudha 25-vjeçare e litiumit do të hapte punë për mijëra minatorë. Plani për të ndërtuar një gigafactory për prodhimin e baterive të makinave elektrike do të sillte gjithashtu vende pune dhe të ardhura në rajon. CEZ është optimist se minierat mund të fillojnë nga puna në katër vjetët e ardhshëm.

Rajoni Usti do t’i përkrahë investimet në miniera, vetëm nëse ato janë sa më miqësore ndaj mjedisit. “E shoh mundësinë e minierave të litiumit si një mundësi,” thotë Jan Schiller, administrator i qarkut të rajonit dhe anëtar i partisë opozitare ANO. “Por shumëçka varet nga kushtet kornizë që negociohen. Kemi ende kujtime të gjalla të pasojave negative të minierave të qymyrgurit në rajon. Çdo dëmtim dhe përkeqësim i kushteve të jetesës duhet të kompensohet në masën e duhur,” i tha DW administratori i qarkut.

Perspektiva të reja apo miniera përsëri?

Rajoni Usti merr para nga BE nga Fondi i Vetëm i Tranzicionit për të financuar ndërprerjen e minierave të qymyrit dhe për të ndryshuar strukturën e ekonomisë lokale. Një pjesë e këtyre parave do të përdoret tani për të zhvilluar më tej projektin e litiumit. Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se pas rënies së prodhimit të minierave të linjitit, rajoni i Ustit nuk dëshiron të kalojë thjesht te minierat e radhës. Në vend të kësaj, ata rekomandojnë investimin e parave në arsim dhe një ristrukturim të përgjithshëm të ekonomisë së rajonit.

Michal Kolecko, profesor në Universitetin Jan Evangelista Purkyne në Ústí nad Labem, është një kundërshtar i hapur i minierave të litiumit. “Nuk mendoj se litiumi është rruga e duhur. Nëse duam të ndryshojmë rajonin dhe t’i japim atij një të ardhme të re, duhet të zgjedhim një ndryshim thelbësor. Ne duhet të përqendrohemi në fushat që kanë potencial dhe jo vetëm t’i japim rajonit një të ardhme ekonomike, por edhe të ndryshojmë përbërjen sociale dhe nivelin arsimor të popullsisë,” tha Kolecko për DW.

Frikë nga pasojat mjedisore

Ashtu si me çdo nxjerrje të lëndëve të para jo të ripërtëritshme, minierat e litiumit kanë gjithashtu një ndikim në mjedis. Në Amerikën e Jugut, ku në të ashtuquajturin “trekëndësh litiumi” midis Bolivisë, Kilit dhe Argjentinës ndodhen rreth 70 për qind e rezervave të litiumit në botë, ka rënë ndjeshëm niveli i ujërave nëntokësore për shkak të shëllirave të litiumit. Në  disa raste të pakujdesisë së kompanive minerare janë kontaminuar edhe ajri, uji dhe toka. Në Cinovec, litiumi do të nxirrej nga shkëmbi. Kjo metodë e nxjerrjes kërkon shumë ujë – dhe është shumë më e shtrenjtë se me shëllirë.

Sipas kompanisë energjitike CEZ, procesi i miratimit për minierat e litiumit do të nisë në fund të vitit 2023. Megjithatë, kompania duket të ketë pak dyshime rreth përfundimit të procedimeve: ajo ka blerë tashmë një parcelë toke për një fabrikë përpunimi litiumi, për një miliard koruna çeke – rreth 40,8 milionë euro./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!