Nga Armstrong Williams “The Hill”
Kujdes: Përçarja politike në SHBA, po kërcënon ta shkatërrojë mënyrën tonë të jetesës. Askush nuk është i sigurt në një Amerikë, ku retorika e dhunshme politike shndërrohet në sulme serioze në jetën reale.
Të përhapësh verbalisht urrejtje është e neveritshme, por ta shndërrosh atë urrejtje në akte
dhune konkrete, është një shenjë e tmerrshme se sa keq ka degraduar shoqëria jonë. Ne po rrezikojmë të lejojmë që mënyra jonë e jetesës të shndërrohet në një sinonim të jetës së një gangsteri.
Sulmi me çekiç në orët e para të mëngjesit të pak ditëve më parë ndaj 82-vjeçarit Paul Pelosi, bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, është një provë se askush nga ne nuk është i sigurt askund.
Bashkëshorti i Pelosit u shtrua në spital me një kafkë të thyer, pasi një burrë thuhet se bërtiti “Ku është Nancy ?”, teksa hyri në shtëpinë e çiftit në San Francisko në orët e vona të mbrëmjes së 28 tetorit. Përpjekja për të dëmtuar kryeparlamentaren Pelosi dështoi, thanë autoritetet, pasi në atë kohë ajo nuk ishte në shtëpi.
I dyshuari David DePape, 42 vjeç, përballet tani me akuza për tentativë vrasje, sulm, tentativë rrëmbimi dhe krime të tjera në lidhje me incidentin. Pra duket se retorika e dhunshme politike ka pasoja, dhe ne po i shohim ato të manifestuara në akte të dukshme terrori.
Ndërsa Paul Pelosi po e merr veten pas një operacioni kirurgjikal, si pasojë e një frakture të kafkës dhe plagëve të tjera, ne të gjithë duhet të ndihemi të turpëruar. A është kjo ajo që kemi lejuar të bëhet SHBA-ja, “toka e njerëzve të lirëve dhe shtëpia e njerëzve trimave”?
Siguria është një iluzion; dhe sulmi ndaj Pelosit është dëshmi e kësaj. Ne e gënjejmë veten duke menduar se jemi disi të mbrojtur nga dyert e blinduara. Por nga incidentet e profilit të lartë në të kaluarën, e dimë se e kundërta është e vërtetë.
Mjerisht, problemi nuk kufizohet vetëm në Shtetet e Bashkuara. Vetëm pak muaj më parë, në korrik, ish-kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua për vdekje nga një burrë me një armë zjarri të prodhuar vetë. Shinzo u qëllua me armë zjarri në një distancë të afërt gjatë një tubimi politik që supozohej të shoqërohej me të gjitha masat e sigurisë.
Ai u transportua me helikopter në spital, ku u shpall i vdekur. Shembulli ndoshta më tronditës i një vrasësi politik që shmangu masat e sigurisë, ndodhi në nëntorin e vitit 1995 kur kryeministri izraelit Yitzhak Rabin u qëllua për vdekje gjatë një tubimi politik në Tel Aviv. Një ekstremist i krahut të djathtë, që kundërshtonte propozimet e Rabin për paqe me palestinezët, e qëlloi për vdekje nga një distancë e afërt, pavarësisht nga reputacioni i Izraelit për pasjen e forcave më të mira të sigurisë në botë. Në fund, nuk kishte rëndësi asgjë.
Askush prej nesh nuk është i sigurt, për sa kohë që shoqëria e lejon dhe promovon një retorikë të dhunshme. Dhe ne duhet ta pranojmë se në shoqëritë tona ka shumë individë të sëmurë që “do ta hanin karremin”, dhe do të vepronin në mënyrë radikale duke shkaktuar pasoja katastrofike.
Sulmi ndaj Paul Pelosi, përbën një kujtesë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim, dhe të kemi parasysh atë që themi, pasi fjalët kanë pasoja serioze. Në vend të retorikës së urrejtjes, ne duhet të rikthehemi në kohët kur ishte e pranueshme të mos binim dakord për shumë gjëra.
Amerikanët duhet ta mirëpresin sërish debatin. Është e lejueshme që të kemi këndvështrime të ndryshme, dhe në disa raste ta pranojmë të mos pajtohemi mbi jo pak gjëra. Republikanët dhe demokratët mund të ndryshojnë rrënjësisht midis tyre sa i përket përcaktimit të rrugës më të mirë për të ardhmen e vendit tonë, pa e cilësuar njëri-tjetrin si armiq për vdekje, apo pa
i nxitur bazat e tyre të mbështetësve për të fituar pikë në sondazhe.
Për çdo republikan konservator në Kongres që e kalon kohën duke krijuar përmbajtje bombastike, duke u futur para syrit të demokratëve për të rrëmbyer mbështetësit e tyre,
ka demokratë progresistë që bëjnë të njëjtën gjë.
Dhe kjo sjellje është e turpshme, sepse do të thotë se shumicës së heshtur të amerikanëve,
që përbëhet nga njerëz të denjë, që besojnë në këtë vend, që duan të ardhmen më të mirë të mundshme për fëmijët tanë dhe nipërit tanë, po i bëhet një shërbim i keq.
Dhe për të qenë të qartë, problemi nuk janë armët. Problemi kryesor janë njerëzit që janë
të gatshëm të kalojnë nga retorika, në dëmtimin real të dikujt vetëm për shkak të mosmarrëveshjeve dhe dallimeve politike. Dhe nuk ka asgjë më thelbësisht jo-amerikane
sesa përdorimi i dhunës për të ndikuar tek rezultatet politike.
Këtë e pamë plotësisht gjatë sulmit të 6 janarit 2021 të një turme njerëzish ndaj Capitol Hill, një akt që ishte sa i dënueshëm aq edhe i frikshëm. Urrejtja e pakujdesshme dhe shkatërrimi që ndodhi atë ditë ishte në thelb jo-amerikane.
Unë e pashë me sytë e mi atë ngjarje, duke mbuluar sulmin ndaj selisë së demokracisë sonë bashkë me ekipin e televizionit tim. Ne duhet të rikthehemi në një kohë kur amerikanët ishin në gjendje të mos binin dakord mbi dallimet politike, por pa iu drejtuar sulmeve fizike. Ne mund të sillemi më mirë sesa sot, dhe këtë duhet ta fillojmë që sot. /abcnews.al/