Reshjet e rëna gjatë natës në Qarkun Korçë kanë shkaktuar problematika të izoluara, por situata paraqitet përgjithësisht e qetë.
Në Bashkinë Korçë, ka prezencë uji pranë banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll, ndërsa rruga për në fshatin Denas është e pakalueshme.
Në Bashkinë Pogradec është konstatuar një rrëshqitje dheu në fshatin Dardhas, ndërhyrjet për rikthimin e kalueshmërisë janë në zhvillim.
Në aksin Lozhan-Moglicë janë pastruar rënie gurësh dhe rrëshqitje dheu, dhe qarkullimi vijon normalisht me kufizime të përkohshme.
Një çarje në argjinaturën e përroit Oshticë (Bilisht) do të ndërhyhet sapo të ulen prurjet, ndërsa lumi Dunavec monitorohet vazhdimisht.
Furnizimi me energji është prekur për disa abonentë, por grupet e OSHEE-së janë në terren për rikthim. Të gjitha strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri dhe situata po monitorohet.


