Reshjet intensive sjellin rrëshqitje gurësh në aksin Berat-Skrapar, vështirësohet qarkullimi

schedule16:33 - 1 Shkurt, 2022

schedule 16:33 - 1 Shkurt, 2022

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë që kanë filluar që prej mëngjesit të sotëm kanë sjellë problematika të shumta në aksin nacional Berat-Skrapar. Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan po vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks.

Shkëputja e gurëve nga faqja kodrinore përgjatë këtij aksi gjatë stinës së dimrit, vijon të jetë një problem i pazgjidhur prej vitesh, edhe pse drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës janë ankuar shpeshherë. Rënia e gurëve ka sjellë dimrin e vitit të kaluar edhe rrëshqitje të masiveve gurësh të mëdhenj, që fatmirësisht nuk kanë rënë mbi automjetet në ecje.

Situata vijon të jetë e njëjtë që prej mëngjesit të sotëm, në prirje të punonjësve të mirëmbajtjes së bashkisë Poliçan për pastrimin e saj. Drejtuesit e mjeteve shprehen se, kjo rrugë është problematika sa herë që bie shi dhe mjaft e rrezikshme në qarkullim, sidomos gjatë natës pasi aksi nuk ka drita. Sipasshoferëve, shmangia e rënies së gurëve mund të kryhet vetëm nëpërmjet rrethimit me rrjetë hekuri të zonës kodrinore përgjatë këtij aksi.

“Është e rrezikshme, po të bien në makinë të bën copë”, thotë një drejtues.

Aksi nacional Berat-Skrapar është një aks me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh por shpesh-herë është shndërruar edhe në burim aksidentesh.

Prej vitesh është folur për një projekt madhor siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike, por projekti nuk është hedhur asnjëherë në letër. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!