Reshje bore në gjysmën e vendit, disa rrugë kalohen me vështirësi

schedule14:31 - 4 Janar, 2018

schedule 14:31 - 4 Janar, 2018

Reshjet e borës kanë qenë intensive në një pjesë të vendit. Për pasojë disa rrugë kalohen vetëm me zinxhirë.Bora ka zbardhur gati gjysmën e territorit të Shqipërisë.

Siç raporton gazetarja e ABC News nga Korça, në disa rrugë nacionale që lidhin Korçën me qytete të tjera ka vështirësi qarkullimi. Rrugët Korçë-Kapshticë, Korçë- Ersekë, Korçë- Pogradec e Qafë Thanë janë të kalueshme me zinxhirë.

Probleme më të mëdha ka në Qafë-Plloçë ku disa makina që nuk ishin të pajisura me zinxhirë janë bllokuar.

Dhe në lartësitë e Korçës, në Dardhë e Voskopojë ka probleme dhe pse rrugët janë të hapura.

Kurse në rajonin e Peshkopisë bora ka ngrirë dhe paraqiten probleme në disa segmente. Rruga nacionale Peshkopi-Tiranë është e hapur, por mjetet duhet të jenë të pajisur me zinxhirë.

Në disa akse rrugore rurale ka  prezencë të borës dhe akullit. Kurse në qytet trashësia arrin deri në 10 cm ndërsa në zonat e thella trashësia varion nga 25 deri në 40 cm.

Policia Rrugore e Dibrës ka shtuar grupet e shërbimit në akset rrugore, për të drejtuar e menaxhuar me kujdes qarkullimin rrugor si dhe për t’ju ardhur në ndihmë gjithë përdoruesve të rrugës që kanë nevojë për ndihmën e policisë.

Por borë ka patur edhe në rajonin e Elbasanit. Në malësinë e Librazhdit disa rrugë janë vështirësisht të kalueshme, kryesisht në Steblevë.

Mjetet borëpastruese kanë dalë në terren megjithatë këtu trashësia e borës arrin deri në një metër. Kurse në veri të vendit probleme ka vetëm në rrugën e Thethit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!