“Reparti më i fortë i Kroacisë është mbrojtja”, Mitaj: Kemi harmoni edhe pas humbjes, të marrim pikë në ndeshjen e radhës

schedule13:24 - 17 Qershor, 2024

schedule 13:24 - 17 Qershor, 2024

Pavarësisht se ëndërronim një nisje historike, të aventurës së dytë, në finalet e një Kampionati Evropian të futbollit, “Të Kaltërit” e Italisë na treguan se jemi ende larg të qënurit “të barabartë” me “gjigantët” e futbollit, në “kontinentin e vjetër”, teksa në sfidën e parë, të Euro 2024 u mundëm me rezultatin e ngushtë 2 me 1, nga kampionët në fuqi të Evropës dhe tashmë kemi nisur të mendojnë për sfidën e radhës.

Kështu, pas përfundimit të përballjes në Dortmund, “Legjionarët” janë rikthyer në kampin e tyre stërvitor, në Kaiserau, aty ku kanë vijuar përgatitjet, për sfidën e mesditës së 19 qershorit, ndaj Kroacisë, sfidë e cila do të vendosë përfundimisht fatin e Kombëtares “kuqezi”, në këtë rrugëtim, që shpresojmë të jetë i gjatë.

Me rikthimin në kampin bazë kanë filluar edhe dalje në konferencë për shtyp, nga “Kuqezinjtë” tanë, ku pas Ylber Ramadanit, Elseid Hysajt, Arlind Ajetit, Qazim Laçit e Kristjan Asllanit, tashmë para mediave ka dalë anësori i mbrojtjes, Mario Mitaj, i cili në vijimësi të konferencës së tij u shpreh se reparti më i fortë i Kroacisë, për të, është mbrojtja e më tej shtoi se djemtë janë të karikuar për të arritur një rezultat pozitiv.

“I dime cilësitë që ka Kroacia dhe sa e fortë është. Sot do të stërvitemi të gjithë bashkë dhe do të bëjmë më shumë analiza teknikike dhe do të vendosim përfundimisht se si do të hidhemi në fushë. Kroacia i ka të gjitha repartet cilësore, sidomos mbrojtjen dhe mendoj se ajo do të jetë pika më e fortë e kësaj ndeshjeje.

Pavarësisht humbjes, atmosfera nuk ndryshoi, jemi shumë harmonik si ekip. Në fund të fundit jemi në Kampionatin Evropian dhe duhet ta shijojmë në maksimum.

E kemi respketuar shumë kundërshtarin. Donim të merrnim diçka më tepër nga ajo ndeshje, por në ndeshjen me Kroacinë do të futemi për të marrë më shumë se në sfidën e parë dhe pse jo të arrijmë një arritje historike. Ngarkesa psikologjike nuk ndikon shumë, jemi 11 kundër 11. Në fushë le të fitojë më i mirë”,- përfundoi anësori i “Legjionarëve”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!