Rënia e euros/ Sejdarasi: Jo të gjithë kanë humbur nga luhatja e saj. Zekja: Të gjithë eksportuesit janë në vështirësi

schedule20:41 - 22 Dhjetor, 2023

schedule 20:41 - 22 Dhjetor, 2023

SHQIPËRI– Zhvlerësimi i monedhës europiane euro ka krijuar probleme për eksportuesit shqiptarë. Si rezultat i kësaj luhatjeje, shumë biznese u përballën me probleme, por qeveria dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërhyrë me qëllim për të lehtësuar dhe ndihmuar aktorët e tregut.

Eksperti i ekonomisë, Bardhi Sejdarasi, i ftuar në “Sheshi i Dollarit” në ABC News, tha se në zhvlerësimin e monedhës europiane kanë ndikuar shumë faktorë.

Sipas tij, burimi i kësaj është turizmi, i cili ka njohur një rritje të fortë, por në këtë kanë ndikuar remitancat si dhe blerja e të huajave në sektorin imobilar. Kjo sipas tij ka çuar në rënie të euros dhe në forcimin e monedhës kombëtare.

“Elementë që kanë çuar forcimin e lekut, janë të lidhur me numrin e madh të turizmit po ashtu ka të bëjë edhe rritja ekonomike. Ka shumë elementë të tjerë që ndikojnë, padyshim. Banka ka një detyrim që lidhet vetëm me qëndrueshmërinë financiare dhe ndërhyn në treg kur duhet të plotësohen disa kushte. Banka kërkon që ta mbajë tregun të kontrolluar. Gjykoj se tendenca kryesore ka qenë turizmi. Ka thyer çdo lloj rekordi. Pjesa tjetër që lidhet po me forcimin e lekut janë prurjet emigratore. Emigracion i ri që ka sjell euro dhe që lidhet me bollëkun e eurove në treg. Paraja që vjen si rezultat i blerjeve të apartamenteve nga të huajt, kjo ka krijuar dyndje të euros, kjo ka dëmtuar dhe ka favorizuar disa sektorë”, tha Sejdarasi.

Florian Zekja, përfaqësues i industrisë fason “Pro Eksport Albania”, tha se sektori që ai vepron ka marrë një goditje të madhe. Sipas tij, i gjithë sektori i eksportit kanë pësuar goditje për shkak të zhvlerësimit të euros.

“Eksportet nga marsi kanë një rënie të madhe. Euro ka filluar rënie që nga 2016. Ne na fillon rënia në muajin mars dhe muajin prill që nuk ke as remitanca, as turizëm. Në korrik ke rënie më të madhe dhe ke një rritje në gusht dhe ke prapë një rënie në shtator. Unë me bilancin paraprak me një ndërmarrje të mesme kam humbje 78 milionë. Kur të mungojnë 17% nga xhiroja, nuk mund të thuash se po fiton. Eksportet janë në rënie nga luhatja e euros. ”, tha ai.

Por ndryshe nga logjika që ndjek dhe beson Florian Zekja, eksperti Sejdarasi u shpreh se shifrat tregojnë se të ardhurat e fasonëve kanë arritur në nivele të larta. Ai shtoi se nga kjo histori importuesit kanë përfituar shumë pasi e gjithë kjo ka shkuar në favor të tyre.

“Të ardhurat e eksporteve të fasonëve ka një rekord historik. Importuesit kanë përfituar nga importi”, tha ai.

Sipas Zekjas, jo vetëm fasonët, por i gjithë sektori eksportues ka marrë goditje nga rënia e euros.

“Kur themi që eksportet kanë rënë me 20% dhe ndërmarrjet po mbyllen, duhet parë për të marrë masa dhe për të shëruar këtë. Ka rënë euro me 17% dhe nuk ka biznes që të rri në këmbë jo për shkak të mosperformacës së tij, por për shkak të politikës monetare jo vetëm për fasonët, por për të gjithë eksportuesit”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!