RENEA dhunoi gazetarin e ABC, SHÇBA nis hetimet

schedule22:28 - 6 Janar, 2022

schedule 22:28 - 6 Janar, 2022

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Shkodër ka nisur hetimet për rastin e dhunimit të gazetarit të ABC, Simon Shkreli nga efektivë të RENEA-s. Burime nga SHÇBA bëjnë të ditur se rasti do të ndiqet deri në zbardhjen e plotë të rrethanave dhe do të referohet tek organet kompetente.

Kujtojmë se ndërsa duhej të ndalonin persona të rrezikshëm e banditë që lëvizin e bëjnë “ligjin” në Shkodër, RENEA, ka harruar sonte misionin e saj dhe të gjithë “forcën” e ka treguar ndaj gazetarit të ABC, Simon Shkreli i cili ndodhej në krye të detyrës e po filmonte aksionin.

Lexo edhe: RENEA zbarkon në Shkodër, harron bandat dhe dhunon gazetarin e ABC në sy të fëmijëve

Në sy të familjes së tij dhe fëmijëve, trupat e RENEA-s kanë dhunuar korrespondentin e ABC në Shkodër edhe pse ky i fundit u ka treguar atyre “badgen” e gazetarit dhe se ishte në punë. Gjithçka ka nisur se pse gazetari po filmon aksionin në Shkodër.

“Jam gazetar, jam në punë, ja ku e kam “badgen”. Këto fjalë nuk kanë mjaftuar për “trup mëdhenjtë” e RENEA-s të cilët duke dhunuar gazetarin i kanë marrë edhe “badgen” identifikues si punonjës në media.

Si për ironi të fatit kjo situatë është parë edhe nga Drejtori i Policisë së Shkodrës Hamdi Fjora dhe shefi i Komisariatit Paulin Çupi. Këta dy të fundit kanë pasur një komunikim të shkurtër me gazetarin dhe e kanë njohur, por pavarësisht kësaj trupat e RENEA-s nuk kanë nguruar të ushtrojnë dhunë ndaj tij, sapo ai ka shkëmbyer disa fjalë me drejtuesit e policisë në Shkodër.

Kujtojmë se Shkodra është një nga qytetet më problematike për sa i përket bandave dhe kontrollit të tyre në qytet. Shpesh herë janë raportuar ngjarje kriminale “nën hundën” e policisë, por pavarëisht këtyre edhe në një aksion që duhej të ishte kundër bandave, RENEA-n e bezdis më shumë fakti që një gazetar po filmon aksionin e tyre.

Po ashtu, për incidentin me gazetarin Shkreli ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Në një njoftim për mediat bëhet e ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur verifikimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit.

REAGIMI

“Mbrëmjen e sotme, gjatë një operacioni kontrolli nga forcat speciale policore në Shkodër, ka ndodhur një incident me gazetarin Simon Shkreli, i cili ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë duke filmuar me celular është penguar të kryejë detyrën e tij.

Lidhur me këtë incident, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur verifikimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të rritur parametrat e sigurisë në vend, përfshirë kontrollet për të kapur personat që qarkullojnë të armatosur apo që posedojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike.

Duke vlerësuar fort rolin e medias në informimin e publikut dhe duke kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve për të qenë bashkë në misionin për më shumë siguri, Policia e Shtetit dënon çdo akt dhe do të marrë masa për çdo kapërcim në ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, lidhur me këtë incident edhe SHÇBA ka nisur verifikimet. Gazetari Shkreli ndodhet në ambientet e shërbimit, për të dhënë deklaratën e tij.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!