Rektorati i Universitetit të Tiranës u bën thirrje studentëve t’i japin fund protestës dhe të kthehen në auditore. Pas një mbledhje të zhvilluar sot, Rektorati ka dalë me një deklaratë ku bën të ditur se është vendosur të merren masa për të garantuar plotësimin e programit mësimor për këtë vit akademik, nëpërmjet zëvendësimit të orëve të humbura gjatë protestës.
Po ashtu Rektorati urdhëron të gjitha strukturat e Universitetit të Tiranës që të shtyjnë afatet e pagesës së tarifave dhe të mbledhjes së dokumentacionit për përfitimin e bursës dhe të studentëve të kategorive të veçanta.
Rektorati do të marrë masa për ngritjen e një grupi pune me përfaqësi nga secila njësi kryesore si dhe pjesëmarrjen e studentëve në të.
Rektorati vlerëson se në këtë proces reformimi dhe përmirësimi të aktivitetit të Universitetit të Tiranës, peshën kryesore dhe rolin vendimtar e ka stafi i tij akademik. /abcnews.al