Ëndrrat nuk pyesin për moshë. Gianluigi Buffon mbush 44 vjeç janarin e ardhshëm, por ka akoma pasionin e një djaloshi dhe një ëndërr të fundit për të realizuar në karrierë.
Sezonin e ardhshëm do e shohim mes shtyllave të Parmës në Serie B, ekip ku u kthye pas 20 vitesh, ndërsa në dhjetorin e vitit 2022 shpreson të jetë pjesë e Italisë në Botërorin e Katarit.
Nëse ndodh, portieri i famshëm do të bëhej i pari futbollist që merr pjesë në 6 Kupa Bote. Në prononcimin e dhënë për GDS, Buffon flet rreth kësaj teme, edhe pse e di që ka pak shanse të marrë një ftesë nga Roberto Mancini.
“Mancini ka bërë një punë të jashtëzakonshme, në mund t’i dhurojmë vetëm elozhe dhe komplimente. Dhe unë, në moshën 43 vjeçare, gjithashtu për respekt ndaj punës së trajnerit, nuk do të jem kurrë tipi që thotë: ‘Oh, jam edhe unë këtu… ‘. Kurrë!
Por Botërori i Katarit më shërben për të ëndërruar, përndryshe për çfarë luaj? Sigurisht që dua të rikthej Parmën në Serie A, por më pas? Është pothuajse e sigurt që Mancini nuk do më grumbullojë në Katar, e drejtë, ka njerëzit dhe grupin e tij.
Por unë e kam të nevojshme ta di se do të zhvillohet një Kupë Bote në Katar, për të vijuar të pres topat e kundërshtarëve dhe të ëndërroj“, theksoi portieri legjendar italian. /abcnews.al