Rekordi i penalltive: CR7 larg Ledio Panos, Suker dhe një veteran i afrohen

schedule23:35 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 23:35 - 15 Dhjetor, 2020

Kristiano Ronaldo u bë futbollisti me më shumë penallti të gjuajtura në karrierë për të gjitha kohët. Gjithsesi, as ylli portugez nuk e arrin dot rekordin e shqiptarit Ledio Pano, i cili nuk ka humbur asnjë 11-metërsh.

Kanë kaluar 26 vjet që nga ajo kohë. Një shqiptar mund të kishte hyrë fare mirë në histori me një gol ndaj Gjermanisë, për t’i dhënë pikën e dytë në të gjitha kohët e përballjeve. Quhet Ledio Pano, ishte lojtar i kombëtares së Shqipërisë dhe në 16 nëntor 1994 tronditi shtyllën e portierit Andreas Këpke në minutën e tretë e të fundit shtesë.

Nuk ia doli nga goditja e dënimit dhe Gjermania fitoi 2-1 në një “Qemal Stafa” të mbushur më shumë se në çdo ndeshje tjetër, pas golave të Klinsmanit e Ulf Kirshtenit, ndërsa për shqiptarët kishte shënuar Hysen Zmijani po me goditje dënimi.

Gjithsesi, edhe pse nga ajo ndeshje Pano doli me një fanellë gjermane si trofe, ai hyri në histori për diçka tjetër. Mesfushori shqiptar mbetet një nga lojtarët që nuk ka humbur asnjë 11-metërsh, ndërsa ka shënuar 50 herë për Partizanin e Luftëtarin në Shqipëri, si dhe për Xanthin apo Janinën në Greqi.

Një traditë, si të thuash, gjenetike për të birin e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, ndonëse ish-sulmuesi i Partizanit dhe i kombëtares kishte shpejtësi dhe forcë shpërthyese tjetër.

Rekordi i Panos kujtohet sot kur “La Gazzeta dello Sport” ngre në qiell Cristiano Ronaldon për numrin e penalltive që ka gjuajtur plot 158, më shumë se çdo lojtar tjetër në histori. Gjithsesi, edhe pse ka shënuar shumicën dërrmuese, portugezi ka gabuar 25 herë, duke pasur një mesatare mbi 84 për qind.

Edhe legjenda tjetër e futbollit të sotëm, Lionel Messi, pavarësisht se ka realizuar shumicën e 11-metërshave, ka gabuar jo pak herë. Ndër ata që janë më pranë nivelit të Ledio Panos, cilësohen kroatët Davor Suker dhe Ivan Krstanovic.

I pari, Suker, ka humbur shumë pak penallti, ndërsa luajti në nivele të larta për Kroacinë dhe Realin e Madridit. I dyti, luan ende sot në Ligën e Parë të Kroacisë me Slavenin e Belupos në moshën 37-vjeçare, dhe që ka humbur vetëm 2 penallti në të gjithë karrierën./ B.K / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!