Rekord vizitorësh në Krujë/ Hafizi: Në 9 muaj e kanë frekuentuar mbi 140 mijë turistë

schedule15:41 - 6 Tetor, 2024

schedule 15:41 - 6 Tetor, 2024

Për të huajt që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar disa ditë pushime, Kruja është gjithnjë në listën e vendeve që duhen vizituar patjetër.

Qyteti ofron një sërë atraksionesh turistike, ndërsa muzeu historik ka regjistruar një fluks të lartë vizitorësh, duke u renditur si ndër më të preferuarit për të huajt.

Ndonëse kushtet atmosferike gjate kësaj fundjave ishin të papërshtatshme, turistet që sfiduan motin duke eksploruar Muzeun Historik dhe atë Etnografik ishin të shumtë.

“Më pëlqen shumë Shqipëria, është vend i bukur. Kruja qytet shumë i këndshëm, Tirana po ashtu dhe bregdeti i jugut. Ushqimi është gjithashtu shumë i mirë.”

Nuk mungojnë edhe vizitorët shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit dhe Kosova.

Gjatë 9 mujorit të këtij viti mbi 140 mijë vizitorë u regjistruan në muzeun e Krujës, ndërsa rekordi u thye gjatë shtator, ku është shënuar dhe fluksi më i lartë.

“Edhe tetori ka hyrë shumë vrullshëm. Në shtator 29 mijë turistë. Përgjatë 9 muajve është vizituar mbi 140 mijë vizitorë. Edhe muzeu etnografik ka pritur shumë vizitorë. Lajm shumë i mirë. Vinë me përshtypje shumë të mira.“, tha drejtori i Muzeut, Burhan Hafizi.

Kruja është një ndër qytetet historike që ofron turizëm gjithëvjetor. Të huajt preferojnë qytetin për arkitekturën e veçantë, njihen me historinë e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, ndërsa shijojnë gatimet tradicionale të zonës./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!