Në disa vende nuk është mbyllur ende, por që tani merkato e verës në futbollin botëror ka vendosur një rekord të ri sa i përket shpenzimeve të klubeve.
Në raportin zyrtar, FIFA zbulon se për transferimin e lojtarëve nga arkat e klubeve kanë dalë 9.76 miliard dollarë.
Kjo është shifra më e lartë e shpenzuar ndonjëherë.
Por kundër këtij trendi kanë lëvizur në tregun e transferimeve skuadrat e Kategorisë Superiore në Shqipëri.
Klubet e kampionatit elitar në vend kanë bërë më pak transferime dhe kanë shpenzuar më pak se merkato e verës 2024.
Sipas raportit të FIFA, në Kategorinë Superiore janë bërë 134 blerje për një shifër totale prej 485 mijë euro.
Një zbritje në shpenzime prej minus 1.5% në krahasim me një vit më parë. Por klubet shqiptarë kanë arkëtuar më shumë gjatë kësaj periudhe tranzitore të transferimeve, duke fituar 2.77 milion dollarë për 78 shitje.
Këto shifra janë vite dritë larg nga ato që kanë investuar Ligët e mëdha të futbollit europian.
Mbi të gjitha Premier Liga, e cila ka vendosur gjithashtu një rekord në merkaton e verës. Klubet e elitës angleze kanë shpenzuar 2.73 milion dollarë, me Liverpool si “mbretin” e trasnferimeve.
Shumë pas qëndrojnë Ligat e tjera të Europës. Bundesliga gjermane renditet në vendin e dytë me 980 milion dollarë, ndërsa Serie A italiane e treta me 813 milion dollarë. Pesëshja e parë plotësohet me Ligue 1 franceze dhe La Liga spanjolle.
Ajo që bie në sy në raportin e FIFA, lidhet me klubet e Arabisë Saudite.
Pasi tronditën tregun dy vite më parë, sheikët duket se kanë vendosur të kursejnë. Klubet e tyre kanë investuar vetëm 552 milion dollarë, duke zbritur nga vendi I dytë në të gjashtin në këtë sesion të tregut të transferimeve./abcnews.al

