Këtë Gusht, Shqipëria ka pritur 16% më shumë turistë se Gushtin e vitit të shkuar. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e bëri të ditur, ndërsa foli për një rekord të ri në turizëm në vendin tonë.
Muaji Gusht shënoi rekordin e ri në turizëm, 1 milion turistë të huaj kanë hyrë në Shqipëri, në vetëm 1 muaj. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e bëri të ditur nga porti i Sarandës ku priti familjen austriake Forster që shënoi dhe turistin e 1 miliontë.
“Familja Forster u përcaktua si turisti i 1 miliontë në vendin tonë për muajin gusht. Rastisi që turisti i 1 miliontë për këtë muaj të hyjë në Sarandë dhe ne së bashku me kryetarin e bashkisë, drejtoreshën e portit e mirëpritëm me të rinjtë e Smile duke dëshmuar një moment simbolik në këtë ofertë të re turistike që ka Saranda dhe i gjithë bregdeti shqiptar për vitin 2019. Siç e thashë është turisti i 1 miliontë, pra kanë hyrë 1 milionë turistë të huaj vetëm brenda muajit gusht deri në ditën e sotme duke shkuar në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të gushtit të vitit të kaluar”.
Të surprizuar nga kjo ngjarje turistet vlerësuan mikpritjen shqiptare.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Miqtë na treguan se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, që duhet ta vizitoni patjetër tani! Na thanë që është një vend i bukur turistik, i qetë, me njerëz të mirë gjithashtu! Ne do të qëndrojmë këtu për 1 javë, me shpresën që do ta shijojmë qëndrimin këtu”.
Për ministrin Klosi kjo është një ngjarje, që flet për sezon të suksesshëm turistik, por që sipas tij, me rritjen e numrit të turistëve, rritet edhe përgjegjësia për të punuar për më shumë standarde./ABC News Albania 24/7

