Shqipëria ka gjetur entuziazmin. Fitoret me Islandën dhe Moldavinë, si dhe loja me Turqinë kanë bërë që atmosfera rreth kombëtares të jetë më e ngrohtë. Ka shumë optimizëm, për shkak se edhe në ekip janë afruar elementë të rinj. Jo vetëm më shumë alternativa, por edhe cilësi.
Trajneri Edi Reja nuk e ka fshehur dëshirën për të vijuar të punojë me Shqipërinë. Me FSHF-në dhe presidentin Armand Duka nuk e lidh vetëm kontrata. Respekti reciprok ekziston dhe nuk do të jetë e vështirë për të nënshkruar sërish.
Fuqia e FSHF-së në aspektin financiar dihet. Palët do të bisedojnë dhe me shumë gjasa presidenti Armand Duka do tentojë të joshë Rejën me bonuse. Përpara janë kualifikueset e kampionatit botëror dhe sigurisht që është një mision i vështirë pjesëmarrja në të.
Reja, në moshën që është, sigurisht që nuk do të ketë super oferta dhe ajo që FSHF do i propozojë do të ketë prioritet. Në nëntor marrëveshja aktuale përfundon dhe mes tij e Dukës do të ketë bisedime konkrete. Kreu i FSHF-së do të duhet të marrë një vendim, që nuk është i lehtë. Mosha është faktori i vetëm kundër italianit. Ana financiare me gjasa nuk do të jetë problem.
SHIFRAT E ITALIANIT – Edi Reja ka debutuar me Shqipërinë në ndeshjen me Islandën. Italiani e nisi me humbje dhe bilancin e ka “gri”. Kuqezinjtë, nën drejtimin e tij, kanë fituar tre ndeshje dhe kanë humbur po kaq. Moldavia ka qenë “viktima” e Shqipërisë në dy ndeshje, teksa i kemi shënuar 6 gola pa pësuar asnjë.
Hakmarrja me Islandën është gjithashtu në listën e ndeshjeve të kombëtares sonën nën drejtimin e Rejës. Sfida me Francën është nga ato që nuk duhen diskutuar. Të mundësh kampionët e botës është një mision i pamundur dhe në kampin kuqezi nuk është llogaritur ndonjë pikë ndaj tyre. Humbja me Turqinë është ajo që “djeg”, por ngroh për lojën.
NDESHJET E SHQIPËRISË NË EPOKËN REJA
Islandë-Shqipëri 1-0
Shqipëri-Moldavi 2-0
Francë-Shqipëri 4-1
Shqipëri-Islandë 4-2
Turqi-Shqipëri 1-0
Moldavi-Shqipëri 0-4
/abcnews.al