Edy Reja, edhe pse 76 vjeç, nuk ka ndërmend të ndalet së drejtuari. Trajneri i Shqipërisë ka folur së fundmi për “Tgr Rai FVG”, degë e RAI për zonën e Friulit dhe Venecias.
“Derisa të kem këtë energji, entuziazëm dhe dëshirë për të punuar, do ta bëj. Të punoj me të rinjtë, të përmirëson, jo thjesht në aspektin fizik, por mbi të gjitha në aspektin mendor”, ka thënë Reja fillimisht.
Më pas ai ka shtuar: “Kombëtarja shqiptare po punon mirë, ka shumë entuziazëm përreth ekipit, i gjithë kombi shqiptar na mbështet dhe na qëndron pranë. Është e qartë që duhet ende të përmirësojmë strukturat e lojës, të përmirësohen mbi të gjitha në aspektin taktik”.
Reja foli edhe për ndeshjen që luajti me Shqipërinë, kundër Anglisë: “Të bësh debutimin në Uembli, në një stadium me 80 mijë tifozë kundër Anglisë, me gjithë ata yje në fushë, në moshën time është një nga gjërat më të bukura që kam përjetuar në botën e futbollit në fakt”. / abcnews.al