Deri në ardhjen e Pepe Reina, Thomas Strakosha ishte i pazëvendësueshëm në katërkëndëshin e Lazios, por situata ka ndryshuar. Portieri i kombëtares sonë është kthyer “i plogësht” pas infektimit me Covid-19 dhe ajo paraqitje e dobët ndaj Udinese duket se i ka kushtuar vendin e titullarit.
Në dy ndeshjet e fundit ka luajtur Reina, teksa sot spanjolli ishte krah trajnerit Inzaghi në konferencë për shtyp. Në fjalën e tij Pepe foli edhe për marrëdhënien me Strakoshën. Reina shprehet se ata mund të luajnë të dy në çdo kohë dhe se nuk duhet të ketë polemika mes tyre.
“Ne të gjithë punojmë për të luajtur në sa më shumë ndeshje. Marrëdhënia ime me Strakoshën është shumë e mirë, ne nxjerrim maksimumin nga të mësuarit nga njëri-tjetri.
Përparësia e skuadrës është se unë dhe ai mund të luajmë në çdo moment. Nuk duhet të ketë asnjë polemikë. Unë jam i lumtur tani, por përpjekja që Thomas po bën në çdo seancë stërvitore është e jashtëzakonshme”, u shpreh Reina. /abcnews.al