Regjistroi video, zbulohet çfarë tha pakistanezi pak para sulmit te ish-zyrat e “Charlie Hebdo”

schedule17:06 - 27 Shtator, 2020

schedule 17:06 - 27 Shtator, 2020

Hassan Ali, autori i sulmit me thikë në Paris, kishte regjistruar një video dy-minutëshe në Urdu para sulmit pranë ish-selisë së Charlie Hebdo.

Sipas burimeve të hetuesve, Aliu duket shumë i tronditur, pothuajse me lot, në imazhe për shkak të “karikaturave të profetit Muhamed”. Në videon, të zbuluar në shtëpinë e tij nga hetuesit, Ali thotë: “Sot, e Premte 25 Shtator, unë do të dënoj fajtorët”.

Policia franceze tha të shtunën se kishin ndaluar një individ i cili besohet të ketë qënë dikur shok dhome me personin që sulmoi dy njerëz në Paris pranë ish zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo”.

Mbrëmjen e së premtes policia la të lirë një algjerian 33-vjeçar, i cili ishte dëshmitar dhe kishte “ndjekur sulmuesin”, pasi hetuesit vërtetuan pohimet e tij.

Deri mëngjesin e së shtunës, shtatë njerëz ishin të ndaluar në lidhje me sulmin e së premtes, përfshi të dyshuarin si autor të sulmit.

Sulmuesi u identifikua 18-vjeçari Hassan Ali nga Pakistani, i cili kishte arritur në Francë para tre vitesh si i mitur i pashoqëruar.

Në një intervistë me stacionin televiziv “France 2”, ministri i Brenshëm francez Gerald Darmanin tha se sulmi ishte, “qartësisht një akt terrorizmi islamik”.

Militantët islamikë sulmuan zyrat e revistës “Charlie Hebdo” në vitin 2015 duke vrarë 12 njerëz. Ndërkohë në Paris po zhvillohet një gjyq për terrorizëm ndaj 14 individëve të akuzuar si bashkëpunëtorë në atë sulm.

Ndërkohë që pritet të zhvillohej gjyqi për 14 të Arrestuarit revista satirike ribotoi karikaturat e Profetit Muhamed. g.v/abcnews.al