Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga muaji shkurt i këtij viti, ka pranuar 676 aplikacione nga persona që pretendojnë se janë viktimë e dhunës seksuale.
Prej tyre, Komisioni ka shqyrtuar dhe trajtuar 265 lëndë. Nga ky numër, 136 personave u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale. Kurse janë refuzuar 107 raste. Aktualisht, bëhet e ditur se 22 lëndë janë duke u shqyrtuar.
Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ajo sqaron se prej numrit total të aplikimeve, 15 janë meshkuj. Por, vetëm gjashtë prej tyre tashmë kanë fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale.
Në bazë të ligjit, atyre që u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfitojnë benificione personale apo pagesë prej 230 euro në muaj.
Begaj tregon për arsyet pse është refuzuar një numër i lëndëve të cilat tashmë janë shqyrtuar.
“Sa u përket rasteve të refuzuara, Komisioni e ka të drejtën e shqyrtimit të dokumentacioneve dhe e gjitha ajo që është paraqitur në rrëfim, ne si Komision kemi të drejtë të kërkojmë dokumente shtesë. Pastaj vijnë lëndë të thata, derisa ka raste të refuzimit, por që ne si Komision kërkojmë që në bazën e asaj që është thënë, të plotësohen edhe me dokumente që ne i kërkomë për verifikim. Pastaj, zhvillojmë intervista gojore me ndonjë rast që për rrethana të ndryshme nuk i kanë ruajtur dokumentet që ne i kërkojmë. Ne si Komision nuk kemi të drejtë t’ua mohojmë të drejtën, por që na duhen fakte”, tha Begaj.
Në anën tjetër, Mirlinda Sada nga shoqata “Medica Gjakova”, organizatë kjo që ofron ndihmë psiko-sociale për viktimat e dhunës seksuale, bëri të ditur se numri i personave që deklarohen se janë të mbijetuar të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, ka filluar të rritet.
Por, siç thotë Sada, ajo që vlen të theksohet është se janë meshkujt e dhunuar seksualisht ata që së fundmi kanë filluar të lajmërohen dhe të aplikojnë në komision.
“Nga organizata jonë ‘Medica Gjakova’ kemi aplikuar me 120 aplikacione në Komision dhe kemi marrë 25 vendime prej të cilave, 21 i kemi pozitive e 4 negative”.
“Mund të them se numri ka filluar të rritet dhe çka është risi është se burrat kanë filluar të aplikojnë dhe të kërkojnë benificione dhe të drejtat e tyre, pasi që është një numër i caktuar edhe i gjinisë mashkullore që u ka ndodhur ky krim”.
“Neve ende na nevojitet punë për të bërë që të punojmë në fushata vetëdijësuese të rrisim vetëdijen e kësaj kategorie, si dhe t’u tregojmë, për mënyrën e aplikimit për të fituar beneficionet që shteti u ofron”, tha Sada.
Sidoqoftë, numri i aplikuesve konsiderohet i vogël krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, që prezantohet nga institucionet dhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie.
Procesi i verifikimit është i domosdoshëm për të përfituar beneficionet me ligj të krijuara për këtë kategori.
Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999. Viktima të dhunës seksuale gjatë luftës janë si femrat ashtu edhe meshkujt, ndonëse numri më i madh i tyre i takon gjinisë femërore. /REL