Refuzimi i buxhetit, Italia po fut në krizë Bashkimin Europian

schedule22:48 - 24 Tetor, 2018

schedule 22:48 - 24 Tetor, 2018

Refuzimi që BE i bëri buxhetit të Italisë është tregues se Eurozona po shkon drejt një krize të re. Në një shkrim analitik, agjencia e lajmeve “Rojters” vë në dukje se përplasja e Romës me Brukselin mund të çojë në dështimin e reformave që synojnë një bllok financiarisht më të fortë.

Sfida që Italia i shpalli rregullave të Bashkimit Europian për buxhetin tregon edhe njëherë nevojën për reforma të reja për të shpëtuar zonën euro, kur kanë kaluar 9 vjet nga kriza financiare që rrezikoi ta përçante. Procesi i reformave është në zhvillim, por nevoja për implementimin e tyre përpara se blloku të përfshihet nga një krizë e re është më e madhe. Por qëndresa e paprecedentë e Romës kundrejt Brukselit, në një kohë kur imazhi i veriut të pasur të Europës është diskretituar, tregon se procesi do të ngadalësohet dhe me shumë mundësi dobësohet. Në maj të vitit 2010, 16 vendet që përdornin monedhën e përbashkët u mblodhën për të krijuar një fond shpëtimi, detyra e parë e të cilit ishte të shpëtonte Greqinë.

Zbatimi i programit të ndihmës, që u mbyll në gusht kur vendi ballkanas doli nga paketa e tretë e borxhit, prodhoi një konsensus se bashkëpunimi më i ngushtë ekonomik është i nevojshëm për të shmangur tronditje të tjera. Me këtë qëllim, vendet e eurozonës po lëvizin drejt pajisjes së programit të ndihmave me kompetenca monitorimi. Gjithashtu, aleatët po bëjnë gati një fond të dytë për shpëtimin e sistemit bankar, për mbrojtjen e depozitave bankare në të gjithë bllokun dhe për hartimin e një buxheti të eurozonës. Gjermania dhe fqinjët e saj insistojnë se përpara se të merren përsipër përgjegjësi të reja, rreziqet financiare brenda bllokut duhen reduktuar. Por në një kohë kur qeveria populiste e Italisë deklaron se synon të shpenzojë më shumë para të marra borxh, duke rënë ndesh me rregullat e BE-së, planet për depozitat bankare dhe buxhetin sa vijnë e duken më të largët. “Tani e tutje do të jetë më e vështirë.

Interesi për sigurinë e depozitave është më i vogël dhe Italia është një argument shtesë që ky argument as që duhet të na shkojë në mendje”, ka deklaruar një zyrtar i hershëm i eurozonës për agjencinë “Reuters”. BE do të prezantojë në dhjetor fazën e ardhshme të paketës së integrimit dhe parashikimet e zyrtarëve janë se gjithçka do të shkojë drejt dështimit. Pa harruar këtu idenë për një sistem fiskal të përbashkët, që nuk gëzon shumë mbështetje. “Në këto kushte jam skeptik nëse projektet tona do të bëhen realitet”, ka thënë zyrtari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!