Reformat europiane/ Grupi Parlamentar Socialist takon delegacionin e Parlamentit Europian për avancimin e agjendës

schedule13:03 - 29 Tetor, 2024

schedule 13:03 - 29 Tetor, 2024

Grupi i Deputetëve të Partisë Socialiste, anëtarë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, priti këtë të martë një delegacion deputetësh nga Parlamenti Europian në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. Takimi u përqendrua në disa çështje kyçe:

  • Sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit;
  • Liria e medias dhe zgjedhjet;
  • Zhvillimi ekonomik dhe turizmi;
  • Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal

 

Niko Peleshi, në emër të grupit parlamentar, vlerësoi rolin e Kuvendit dhe të këtij komiteti në promovimin dhe monitorimin e reformave për avancimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane. Ai theksoi rëndësinë historike të këtij momenti në marrëdhëniet me Bashkimin Europian, si rezultat i angazhimit serioz të Shqipërisë në reformat europiane.

“Hapja e kapitujve është një arritje e madhe, duke shënuar një gur themeli historik në rrugëtimin tonë drejt ribashkimit të plotë europian. Çdo sukses në këtë proces është një hap përpara jo vetëm për ne, por për të gjithë rajonin,” u shpreh Peleshi.

Ai theksoi se përparimi i Shqipërisë përfshin, por nuk ndalet vetëm te përmirësimi i legjislacionit, duke përfshirë forcimin e të drejtave të njeriut dhe reformat në administratën publike, të cilat janë thelbësore për axhendën europiane. Në këtë takim, kreu i Grupit Parlamentar Socialist konfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të bërë çdo përpjekje të mundshme në ndjekjen e agjendës së reformave europiane.

Në përfundim, Peleshi falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt procesit të integrimit, duke e cilësuar si një element kyç për të ndërtuar një të ardhme europiane të qëndrueshme dhe prosperuese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!