Opozita e bashkuar i ka dërguar kryeministrit Rama një platformë për zgjidhjen e krizës politike ku në fokus është reforma zgjedhore. Këtë të enjte, kreu i Selisë blu, Lulzim Basha në një reagim në rrjetet sociale bëri publike 5 pikat e planit të opozitës.
“Në respekt të transparencës, ky është propozimi i Opozitës së Bashkuar për Reformën Zgjedhore. Dëshiroj që konsultimi të nisë me JU! Ndaj ju ftoj të ndani me mua mendimet dhe sugjerimet tuaja”, shkruan Basha në Facebook.
Në platformën e opozitës thuhet se diskutimet mbi reformën zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike, duke përfshirë në hartimin e saj edhe përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.
Gjithashtu opozita propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i parlamentit dhe një përfaqësues i opozitës së bashkuar. Sipas opozitës, reforma zgjedhore kërkon vullnet politik për t’u realizuar dhe zbatuar.
Ndërkohë njësoj si një ditë më parë, edhe këtë të enjte kreu i Partisë Demokratike përsëriti se nëse Rama nuk e zbaton këtë plan, duhet të hapë krahun.
/abcnews.al