Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbajtur sot konferencën e radhës me gazetarët. Ndër të tjera, në fjalën e tij, kreu i shtetit e paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se do të gjykohet me “ligjet e veta”.
Meta tha se Reforma në Drejtësi nuk do të preket, dhe se do të përdoren “ligjet e Ramës”, por Ministrinë e Brendshme, për OFL-në e për policinë e shtetit.
“Edi Rama thotë që Ilir Meta do të ndryshojë reformën në drejtësi. Që ato 140 vota i bën Ilir Meta…E bërë atë që bërë ti me drejtësisë, po s’ka problem. Ne kemi ligjet e tua për ministrinë e Brendshme, kemi ligjet e tua për OFL për policinë e shtetit. Asgjë nuk do të prekim. Do ta luftojmë korrupsionin.”
Presidenti tha po ashtu se Rama e ka kapur drejtësinë dhe tashmë po përpiqet që të blejë votat.
“Çfarë e di ti more rrugaç Ilir Metën. Ti para Metës sillesh si lepër, e para kriminelave e horrave.. Nuk të njeh Meta ty, nuk të njeh Tirana? Boll i mashtrove socialistët. Nuk e ndryshon dot rezultatin e zgjedhjeve. Ky është burimi i tensionit në Shqipëri, është Edi Rama. Ka kapur drejtësinë e do që të blejë votat.”
Gjithashtu, kreu i shtetit u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të jenë më parimorë e që të reagojnë në kohë.
“U bëj thirrje ndërkombëtarëve, të jenë më parimorë. E të reagojnë në kohë. Nëse nuk do kishin toleruar shkeljen e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit, situata do të kishte qenë më e mirë. Në qoftë se do kishin reaguar atë ditë, kur vagabondi i Bashkisë së Tiranës porositi që të ushtrojnë dhunë në prezencë të presidentit, kundër një partie opozitare vetëm se dy ditë më parë nënshkroi një marrëveshje me PD. Nuk do kishte ndodhur plagosja në Kavajë. Nëse do të kishin dënuar sulmin e banditëve ndaj opozitës nuk do të kishte ndodhur as vrasja dje në Elbasan…” sb/abcnews.al/