Referendum për autonomi në Lombardi dhe Veneto

schedule12:39 - 22 Tetor, 2017

schedule 12:39 - 22 Tetor, 2017

Italianët në Lombardi dhe Veneto votojnë sot në referendumin për autonominë. Por dhe nëse fiton “po”-ja asnjë nga rajonet nuk do të kërkojë shkëputjen nga Italia dhe as do të bëhen automatikisht rajone me status special.

Në Itali janë hapur qendrat e votimit për zgjedhësit në Lombardi dhe Veneto të cilët do të shprehen në të ashtuquajturin referendum për autonominë. Por votimi është konsultues dhe nëse do të fitojë “Po”- ja as Lombardia dhe as Veneto nuk do të kërkojnë shkëputjen nga vendi dhe as do të kthehen automatikisht në rajone me statut special. Qendrat e votimit do të vazhdojnë deri në orën 23.00 të së dielës.
Në Lombardi referendumi është kërkuar nga guvernatori Roberto Maroni pasi propozimi u miratua në këshillin rajonal nga qendra e djathtë dhe Lëvizja me pesë yje. Në të dyja rajonet referendumi po mbahet në kuadër të nenit 116 të kushtetutës italiane e cila u njeh rajoneve të drejtën për të një lloj të ndryshëm autonomie. Procedura nis me inciativën e rajonit dhe përfundon me një ligj të miratuar nga parlamenti italian me mazhorncë absolute.
Në Lombardi ndryshe nga Veneto nuk duhet kuorumi por mjafton vetëm nëse fiton po ose jo, pavarësisht se sa persona marrin pjesë në votim.
Votuesit kanë tre mundësi të votojnë po, jo ose të lënë fletën e votimit të bardhë. Për mbajtjen e referendumit Lombardia ka shpenzuar 23 milion euro, ndërsa aparaturat e blera do i dhurohen më pas shkollave pas përfundimit të votimit.