“Reciprociteti ndaj Serbisë”, opozita kërkon mbledhje të jashtëzakonshme

schedule18:52 - 10 Shkurt, 2020

schedule 18:52 - 10 Shkurt, 2020

Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se nuk e ka bojkotuar dhe as nuk do ta bojkotojë parlamentin. PDK e Kadri Veselit tha në një deklaratë se deputetët e PDK-së nuk patën mundësi të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, sepse ajo ishte siç tha PDK, seancë klandestine dhe ishin njoftuar vetëm 5 minuta para se të mbahej.

PDK tha se shkarkimi i një kryetari Parlamenti dhe zgjedhja e një kryetari të ri si zonja Osmani, u bë në rrethana të paqarta politike dhe flirtim të rrezikshëm politik me Beogradin, përkatësisht Listën Serbe. Partia më e madhe opozitare tha gjithashtu se atë natë ndodhi një precedent i rrezikshëm, “koalicioni me Beogradin dhe Listën Serbe i padeklaruar,” që do të mbajë gjallë, sipas saj, qeverinë Kurti.

PDK i kërkoi përsëri Kryetares se Kuvendit që të kthejë fotot e presidentit Thaçi dhe Adem Jasharit në vendin e vet, të mbajë foton e ish-presidentit Rugova në kabinet dhe të luajë rolin e vet kushtetues si kryetare e Kuvendit. Gjithashtu PDK theksoi se kryetarja e Kuvendit do të bojkotohet derisa të ndalojë ato që partia opozitare i quan shkelje ligjore në institucionin e Kuvendit.

Ndërkohë, partia tjetër, opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, vendos të martën për veprimet që do të ndërmarrë si grup parlamentar sa i përket idesë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për heqjen e taksës 100 përqind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën e reciprocitetit. Ndërkohë deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj tha se AAK do të mbajë të martën një mbledhje të jashtëzakonshme për këtë çështje.

Ai theksoi se AAK nuk e kundërshton masën e reciprocitetit, por heqjen e taksës dhe kërkoi sqarime se si do veprojë qeveria Kurti me vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!