Ulja e Antonio Contes në stolin e Interit nuk është pritur aspak mirë nga tifozët e Juventusit. 50-vjeçari ishte për 13 sezone futbollist i bardhezinjve dhe 3 sezone si trajner. Ai fitoi në të dy epokat dhe diçka e tillë e ktheu në një emër të madh të historisë së “Zonjës së vjetër”.
Në Alianz Stadium janë 50 yje, aty ku shkruhen emrat e legjendave të kampionëve të Italisë. Një yll është rezervuar për Conten, por tifozët janë kundër. Një peticion ka nisur prej kohësh dhe ka arritur shifrën e 1500 firmave në javën e derbit të Italisë.
Tifozët e Juves e quajnë tradhti kalimin e tij tek Interi dhe kërkojnë që ylli i Contes t’i kalohet Claudio Marchisios. Por ka një pengesë. Tuttosport raporton se presidenti Agnelli ka vënë veton dhe është kundër këtij propozimi.
Derbi i Italisë midis Interit dhe Juventusit zhvillohet të dielën në mbrëmje. Zikaltrit vijnë si kryesues dhe kërkojnë fitoren e radhës, ndërsa djemtë e Sarrit do të përpiqen të tregojnë se vazhdojnë të mbeten më të fortët e kampionatit italian. /abcnews.al