David Alaba në verë do të largohet nga Bayern Munchen si lojtar i lirë dhe si pasojë disa klube duan shërbimet e tij. Por austriaku nuk është aq i lirë sa duket.
Ai kërkon kontratë 5-vjeçare me pagë bruto 22 milionë euro në sezon. Real Madrid është shfaqur klubi më interesuar për të deri më tani, por kërkesat financiare të austriakut e kanë stepur disi Perez.
Nga ajo që raportohet në Spanjë thuhet se Real Madrid ka dyshime nëse duhet të firmosë me Alaba për shkak të moshës së tij. Ai është 29 vjeç tashmë dhe nuk dihet nëse mund të jetë në të njëjtin nivel kur të mbushë 34 vjeç.
Nga ky hezitim i madrilenëve duket se ka përfituar Manchester City. Kryesuesit e Premier League kanë ndërhyrë dhe mësohet se i kanë pohuar Alabas se mund t’i ofrojnë kontratë me 22 milionë euro në sezon, të ndara me 11 të sigurta dhe 11 në formë bonusesh.
Alaba nga ana e tij ende nuk ka dhënë shenja për t’u anuar në një klub, por forma e frikshme e Cityt dhe mundësia për të afruar Messin me siguri e bindin mbrojtësin. /abcnews.al