Reali pranë finales së Champions

schedule11:21 - 26 Prill, 2018

schedule 11:21 - 26 Prill, 2018

Reali luajti dobët në Mynih, por sërish ia doli të fitonte ndaj Bajernit. Fati ishte me skuadrën e trajnerit Zidane që është pranë finales së tretë radhazi në Champions.

Ndeshja ishte sërish klasike, sërish dramatike, por përfundimi i njëjtë si kohët e fundit.

Reali i mbijetoi edhe një herë tjetër “ferrit” të Mynihut, duke qenë në prag të kualifikimit ndaj Bayernit.

Kjo do të thotë vetëm një hap larg finales së Championsit, të tretës radhazi për “mbretërorët” e trajnerit Zidane.

Nuk ishte një spektakël i furishëm si ai mes Liverpulit e Romës, por drama nuk mungoi, madje që nga minuta e parë.

Rasti i humbur nga Lewandowski e Thomas Muller e shprehu qartë atë që do të ndodhte, me një Bayern me epërsi thuajse totale, por edhe me një paaftësi po aq totale për ta dërguar topin në rrjetë.

E pra, goli erdhi shpejt, që në minutën e 28, ndonëse nga një lojtar që nuk pritej si mbrojtësi Joshua Kimich.

Madridi, sërish jo në formë ashtu si ndaj Juventusit, e humbi fare në pjesën e parë, dhe Frank Ribery e James Rodrigez bënë çfarë deshën.

Për fat të keq, edhe talenti i tyre i tradhëtoi përpara portës, në mënyrë të pabesueshme.

Përse gaboi kaq shumë skuadra e Jupp Heynckes?

Besohet për shkak të trysnisë së madhe psikologjike dhe dëshirës së madhe për hakmarrje me çdo kusht, pas dy eleminimeve radhazi.

Nervozizmi është këshilltar i keq, ndërsa po nuk shënove, e pëson.

Kështu edhe ndodhi, me Realin që barazoi në gjuajtjen e parë në portë.

Klasi i Marcelos ishte krejt e kundërta me atë që bënë bavarezët.

Edhe pas pushimit, gjysmëfinalja e Championsit nuk ndryshoi, me Bajernin në sulm dhe pranë golit, dhe me spanjollët në mbrojtje të ngjeshur.

Ajo që ndryshoi ishte loja difensive e bavarezëve, që kaluan nga gabimi në gabim.

Një dhuratë e Rafinha mjaftoi që Reali të kalonte në avantazh.

Pikërisht këto gabime theksoi trajneri Heynckes pas ndeshjes.

Jupp Heynckes: “Ne nuk i shfrytëzuam shanset tona, edhe pse luajtëm shumë mirë. Ne nuk u treguam aspak efikasë, dhe po ashtu bëmë disa gabime të rënda në mbrojtje. Ne bëmë dy dhurata që Reali i ktheu në gola. Natyrisht, kur ndeshja shkon kështu, nuk është habi që të humbësh. Gjithsesi, ne treguam se mund ta godasim Realin, dhe kuptuam se Reali është ekip që mund të mundet. Kjo na jep shpresë dhe ne do të shkojmë në ndeshjen e dytë në Madrid për të fituar dhe për t’u kualifikuar. Ne nuk na lejohet që të dorëzohemi”.

Edhe futbollistët bavarezë folën me kokën ulur.

Thomas Muller: “Natyrisht që Reali ka shumë cilësi individuale. Ata u treguan të zotët që shënuan golat, por ne nuk lejuam që ata të kishin shumë raste. Pas ndeshjes, duke parë rastet e shumta që humbëm, ne mund të themi se bëmë shumë gabime. Kjo është e vërtetë”.

Joshua Kimich: “Ne ishim plotësisht naivë me mundësitë për gol që shpërdoruam. Reali pati vetëm dy gjajtje në portë dhe shënoi dy gola. Kjo tregon talentin e madh që ka Reali si ekip, por nga ana tjetër, ne nuk duhej të gabonim kështu”.

Zidan, trajneri që po e udhëheq Realin drejt titullit të tretë europian radhazi, pranoi vështirësitë.

Zinedine Zidane: “Ne mund të themi vetëm që fituam ndeshjen. E vërteta është që vuajtëm shumë në fund të ndeshjes, por edhe në fillim. Sidoqoftë, në përfundim arritëm një rezultat të rëndësishëm, shumë të mirë, në një fushë shumë të vështirë. Ne e dinim se në ndeshje të tilla duhet të vuash dhe ne e përballuam këtë vuajtje. Gjithsesi, kemi edhe ndeshjen e kthimit dhe nuk jemi ende të kualifikuar për në finale”.

Natyrisht, mediat e raportuan qartë atë që ndodhi.

Gazeta “Marka” e Madridit ka në kopertinë foton e Asensios duke treguar bluzën e Realit: Këtu duhet kjo! Madridit bëri një hap të rëndësishëm drejt finales!

“AS”: Fitore e vuajtur! Madridi përballoi për shumë minuta rrethimin e Bajernit!

Nuk mund të mungonte sulmi nga “El Mundo Deportivo” e Barcelonës” Si përherë! Reali shfrytëzoi rastet dhe pati fat, arbitri nuk dha penallti të pastër për Bayernin!

“Sport” po në Barcelonë: Reali ishte në gjendje të fitonte edhe kështu!

Nga Gjermania, gazeta “Bild”: Reali i Zidanit është terrori i Europës. Fitore e shpërdoruar dhe dy lojtarë të dëmtuar. Bajerni duhet t’i bëjë llogaritë me veten!

Revista “Kiker” qan rastin e humbur: Mëkat, rrallë të vjen një Real kaq i dobët!

“Zydojçe Cajtung” e Mynihut komenton rezultatin që duhej të kishte ndeshja: “5-2? Do të thoshim 7-2! Bajerni nuk pati fat me rastet dhe me dëmtimet!

“L’Ekip” i Parisit: REALizëm i pamëshirshëm! Kampionët e Europës i dhanë Bajernit një leksion efikasiteti!

Përshtypje bëri edhe që Kristiano Ronaldo nuk shënoi dot.

Realizuesi më i mirë në historinë e Championsit ishte një figurë e vetmuar në sulm, simboli i vërtetë i lojës së skuadrës së tij.

Mbeten edhe 90 minuta të paktën për t’u luajtur në “Bernabeu”, dhe Reali është favorit për finalen, por ky edicion i Championsit po tregon se mrekullitë mund të ndodhin më shumë se një herë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!