Akuza dhe sharja për gjyqtarin pas eleminimit të Bajernit nga Liga e Kampionëve. Edhe mediat europiane ishin të ndara në vlerësimin e suksesit të Realit
Skenat ishin të njëjta si vjet.
Bajerni u mblodh sërish në një darkë, që dukej si e përzishme, pas eleminimit të dytë radhazi nga Reali në Champions, veçse bavarezët ishin edhe një herë krenarë.
Shefi ekzekutiv, legjenda Karl-Hajnc Rumenige, mburri skuadrën për “ndeshjen më të mirë që kam parë nga Bajerni në Ligën e Kampionëve, në 5 vitet e fundit”. “Ne ishim skuadra më e mirë ndaj një Reali që kryeson renditjen e UEFA-s, ne e nxorrëm Realin nga fusha e lojës”, – shtoi Rumenige.
Futbollistët e Bajernit dhe trajneri Hajnkes ishin padyshim të dëshpëruar, dhe padiskutim edhe të zemëruar me gjyqtarin turk, Çakir, ndaj të cilit pretenduan dy penallti.
Gjithsesi, më të tërbuar ishin dy nga lojtarët që nuk ishin në fushë, Arturo Vidal dhe Zherom Boateng.
Mesfushori kilen nuk u përmbajt duke sharë lojtarët e Realit, me fjalën “minj”, dhe duke akuzuar gjyqtarin me një fjalë të turpshme, “një tjetër penallti m…”.
Dyshimet janë të mëdha se arbitrat vazhdimisht favorizojnë Realin, pasi edhe sezonin e kaluar, madrilenët shënuan dy gola në pozicion jashtë loje ndaj Bajernit, dhe përfituan nga kartoni i kuq i padrejtë i Vidalit, dhe nga fakti se gjyqtari kurseu të kuqin ndaj Kasemiros.
Boateng ishte pak më i kulturuar në reagimin e tij.
“Kjo nuk është penallti? Po çfarë thoni?”, komentoi ai në rrjetet sociale.
Vetë njeriu që preku topin me dorë, Marselo, pranoi me ndershmëri çfarë ndodhi.
“Po, po, topi preku dorën time, – pohoi ai, – kjo është e vërteta, e preka me dorë, por kjo ndodhi dhe unë nuk kam ç’të them. Unë nuk i komentoj arbitrat që shpesh kanë gabuar edhe kundër nesh”.
Mediat ishin të ndara në jehonën për sfidën e Championsit.
Në Madrid, gazeta “Marka”: Le të fitojmë të 13-ën! Kampionët vuajnë dhe rezistojnë ndaj një Bajerni të admirueshëm!
Po në Madrid, gazeta “AS”: Bajerni shkaktoi vuajtje në “Bernabeu”! 22 gjuajtje në portë, 11 brenda kuadratit, 11 korne, 60 për qind mbajtje topi!
E përditshmja spanjolle, “ABC”: Reali i mbijeton rrethimit gjerman! Finalja e tretë radhazi në Champions!
“El Mundo”: Në kërkim të së 13-ës! Madridi eleminon Bajernin pas një ndeshje elektrifikuese dhe do të kërkojë Championsin e tretë radhazi!
Në Katalonjë mendojnë ndryshe.
Gazeta “Sport”: Kështu, kështu, kështu kualifikohet Madridi! Penallti e padhënë, dhuratë e Bajernit!
“El Mundo Deportivo”: Një klasike, Real-Bajern 2-2 në Champions. Madridi në finalen e tretë radhazi pasi eleminoi Bajernin në stilin e tij klasik!
Në Gjermani, “Bild” akuzon arbitrat për penalltinë e padhënë: Gjashtë sy dhe një dorë! Përse arbitrat nuk dalluan asgjë?
“Zydojçe Cajtung” e Mynihut: Krenarë për vdekjen heroike! Bajerni jashtë Championsit!
Së fundi, asnjanësja “L’Ekip” e Parisit: Reali ecën mbi ujë! Skuadra e Zinedin Zidanit arrin finalen e tretë radhazi në Champions!/abcnews.al