Reali i Madridit në krizë pas humbjes ndaj Atletikos

schedule12:43 - 17 Gusht, 2018

schedule 12:43 - 17 Gusht, 2018

Reali i Madridit mund të quhet në krizë pas humbjes në Superkupën e Europës ndaj Atletikos. Drejtuesit e klubit të madh spanjoll po mendojnë sesi të dalin nga kjo situatë.

Nuk ishte vetëm një humbje, por edhe një sinjal alarmi. Disfata nën goditjet e Diego Kostës dhe të Atletikos, në Superkupën e Europës, u ndje fort dhe dhimbshëm tek Reali. Tri herë radhazi kampionët e Europës, pavarësisht emrit dhe talentit pa fund në skuadër, nuk ndihen më të sigurt në vetvete. Trajneri Hulen Lopetegi dhe presidenti Florentino Perez mësohet se kanë nisur menjëherë të mendojnë se çfarë nuk shkon në skuadër. Mediat në Spanjë njoftojnë se tek Reali mendojnë që e vetmja mënyrë për të ndryshuar gjërat është të marrin përforcime.

Flitet se duhet një qendërmbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues edhe pse nuk jepen objektiva konkrete. Nga Reali janë larguar pikërisht lojtarë të tillë, një mbrojtës si Teo, një mesfushor si Kovaçiç, dhe një sulmues si Kristiano Ronaldo. Me CR7-n, golat ishin të garantuar dhe statistikat janë të qarta, që Reali kaloi kufirin e 100 golave në kampionat në 8 nga 9 sezonet kur kishte në skuadër portugezin. Tashmë, madrilenët kanë humbur edhe besimin e tifozëve, pavarësisht festimeve në stadiumin e Madridit pas fitores së trofeut “Bernabeu”.

Kjo del nga një sondazh në gazetën “Marka”, anketë që bëhet më e besueshme kur mendon se kjo gazetë është shumë pranë Realit. Kush do të dalë kampion, ishte njëra pyetje, dhe tifozët që padyshim më së shumti janë të Realit, i dhanë gati 54 për qind të shanseve Barcelonës. Jo vetëm kaq, por vendi i dytë sipas tyre i takoi Atletikos me 21 për qind, ndërsa Reali doli vetëm i treti me 19 për qind. Kush do të jetë shënuesi më i mirë, ishte pika tjetër e sondazhit, dhe këtu diferencë ishte e frikshme (në mungesë edhe të Kristiano Ronaldos). Lionel Mesi mori 71 për qind të votave, duke qenë i dyti Diego Kosta me 7 për qind, Luis Suarez me 5, ndërsa më i miri i Realit, Garet Bejl, doli i katërti me vetëm 4.11 për qind./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!