Reali i Madridit mund të largojë plot 13 lojtarë këtë verë

schedule14:50 - 24 Qershor, 2019

schedule 14:50 - 24 Qershor, 2019

Reali i Madridit ka në plan të fitojë rreth 500 milionë euro nga transferimi i futbollistëve këtë verë. Klubi i madh spanjoll pritet të largojë 13 lojtarë.

Galaktikë në fushë, galaktikë edhe jashtë saj. Reali i Madridit jo më kot cilësohet si klubi më i madh i botës, dhe gjithçka që ndodh tek ai merr përmasa jashtë të zakonshmes.

Plot 13 lojtarë mund të largohen nga “Santiago Bernabeu” këtë verë, gjithnjë nëse lista e presidentit Florentino Perez dhe trajnerit Zinedin Zidan “zbrazet” e gjitha, sipas projektit.

Gazeta “Marka” informon se bëhet fjalë që Reali mund të largojë më shumë se një formacion, duke nisur me portierin Kejlor Navas, e deri tek lojtarë të sulmit si Bejli, Mariano e Hames Rodrigez.

Shifra e plotë që pretendohet prej tyre është 474 milionë euro, pra afërsisht gjysmë miliardi.

Nuk dihet sesa do të arrihet kjo gjë, por mund të thuhet pa frikë se asnjë klub në botë, që kur është krijuar futbolli e deri më sot, nuk ka pasur plane të tilla.

Perez është i detyruar të veprojë shpejt sepse shpenzimet deri tani kanë arritur në 300 milionë euro, ndërsa parashikohet të rriten.

Kjo verë ishte e para, pas disa vjetësh, me afrime të mëdha.

Në “Bernabeu” erdhi ylli Eden Hazar nga Çelsi, dhe po ashtu edhe sulmuesi Luka Joviç nga Frankfurti.

Nuk mund të harrohen lojtarë të tillë si Rodrigo, Eder Militao apo Mendi.

Ndër ata që duhet të largohen, Garet Bejl ka vlerën më të lartë të kartonit, 80 milionë euro, dhe po aq, talenti I marrë nga Malaga, Isko.

Më pas, Hames Rodrigez vlerësohet në 42 milionë euro, Kovaçiç e Jorente nga 40 milionë, për të vazhduar me Naçon e Marianon nga 30 milionë secili, dhe Sebajos me 35.

Më pak, janë portieri Kejlor Navas me vlerë kartoni 10 milionë euro, mbrojtësi Vajeho me 12, por edhe të tillë si Lukas Vaskez, Teo, De Tomas nga 25 milionë euro.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!