Reali i Madridit e meritoi kualifikimin në Champions ndaj Paris Sg

schedule13:58 - 7 Mars, 2018

schedule 13:58 - 7 Mars, 2018

Nuk pati garë në duelin mes Paris Sen Zhermenit dhe Realit. Francezët dhe spanjollët deklaruan se Madridi e meritoi plotësisht kualifikimin për në çerekfinale.

E shpeshtë si festë, por aspak e mërzitshme.

Edhe për një ekip dhe një yll që kanë dalë dy herë radhazi kampion i Europës, një sukses i madh në Champions jep lumturi të pamasë.

Kristiano Ronaldo dhe gjithë Reali e provuan përsëri atë ndjenjë special që të jep futbolli, pasi triumfuan në një duel që pritej tepër i vështirë, dhe që u ndoq nga gjithë bota, atë ndaj Paris SG.

Madridi e meritoi plotësisht kualifikimin, madje edhe triumfin brenda në Francë.

Jo më kot 12 herë fituese e Championsit, formacioni spanjoll bëri paraqitjen më të mirë pikërisht atëherë kur mendohej se presioni do të ishte më i madh.

Logjikisht, trysninë e ndjeu skuadra me më pak përvojë, Paris SG.

Ronaldo shënoi golin e tij të 118-të në këtë garë, një thellim i rekordit, ndërsa të rinjtë Asensio e Vaskez ishin shumë lart.

Zidan: “Mendoj se na shkoi gjithçka mbarë, dhe se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, madje një ndeshje të përsosur. Nuk ishte e lehtë këtu në Paris, ndaj mendoj se e merituam, dhe për këtë jam edhe më shumë i kënaqur. Paris Sen Zhermeni luajti shumë mirë ndeshjen e parë, ndërsa këtë herë jo edhe aq mirë. Jam i lumtur me Lukas Vaskezin dhe Marko Asension, që janë veçanërisht në formë, veçse me këtë kalendar të ngjeshur, do të na duhet të aktivizojmë shumë lojtarë. Më vjen mirë që po e lavdërojnë punën time, dhe unë jam këtu pikërisht për të bërë këtë punë, por meritën kryesore e kanë futbollistët”.

Kapiteni Sergio Ramos u përpoq menjëherë ta largonte mendjen nga suksesi, dhe të mendonte për më tej.

Ramos: “Jemi shumë të kënaqur me punën e bërë në këtë ndeshje. Ishte një tjetër rast i mirë për të treguar veten në kompeticionin tonë të preferuar, dhe ia dolëm mbanë. Luajtëm shumë mirë, fituam dhe u kënaqëm me futbollin tonë. Tani duhet ta ruajmë këtë gjendje, këtë mentalitet, sepse vërtet kaluam në çerekfinale, por ende nuk kemi fituar asgjë”.

PSG ishte një zhgënjim i madh.

Një publik prej gati 50 000 tifozësh në “Park dë Prensis” bëri gjithçka që t’i nxiste të vetët, por doli e pamundur.

Jo vetëm kaq, por francezët ishin më keq edhe sesa në ndeshjen e parë, ndërsa mungesa e Nejmarit u ndje më shumë përsa I përket personalitetit në fushë.

Trajneri Unai Emeri tregohet me gisht për dështimin dhe pyetet për të ardhmen.

Emeri: “Të eleminohesh nga Reali i Madridit nuk është diçka e jashtëzakonshme. Natyrisht, fatkeqësia është që u eleminuam pa arritur në çerekfinale. Është e vërtetë që Championsi ishte një objektiv për ne, dhe pas shortit shanset ishin 50 me 50, por ne gabuam në ndeshjen e parë, kur i kishim mundësitë. Në ndeshjen e dytë, Reali ishte më mirë. Nuk mendoj nëse do të largohem apo jo nga kjo skuadër, mendoj të fitojmë kampionatin dhe kupën”.

Tek Paris SG ende nuk thuhet asgjë për stolin, ndonëse përmendet emri i Zidanit si pasardhës i Emerit.

Gjithsesi, presidenti Al Helaifi, duhet të ketë parasysh kritikën e Arrigo Sakit se idetë e futbollit nuk mund të blihen.

Al Helaifi u tregua kritik për të vetët.

Al Helaifi: “Po, mbetëm shumë të zhgënjyer. Ne besuam tek fitorja përpara po ashtu edhe gjatë ndeshjes, dhe unë mendoj se dominuam në pjesën e parë. Mund të kishim shënuar, por nuk ia dolëm, ndërsa u bë edhe më e vështirë pas kartonit të kuq. Ndaj Realit është e vështirë të luash me 10 vetë, por e vërteta është se nuk luajtëm ashtu siç duhet”.

Kualifikimi pra ishte i Realit, një nga të shumtët e skuadrës së madhe që kënaqet vetëm me kupën.

Trajneri Zidan ia doli edhe pa regjisorët Modriç e Kros, padyshim do ta ketë më të lehtë, kur ata të jenë gati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!