Reali i Madridit dhe Liverpuli luajnë sonte finalen e madhe të Championsit në Kiev. Spanjollët cilësohen favoritë për ndeshjen që nis në orën 20:45.
A mund t’u ketë mbetur ndonjë emocion për t’i tronditur sado pak? Futbollistët e Realit kryen një tjetër ritual kur u nisën nga qendra e tyre stërvitore në Madrid, drejt Kievit.
Superyjet si Ronaldo, Ramos apo Modriç do të luajnë finalen e tretë radhazi në Champions, diçka që duket se I ka bërë imunë edhe ndaj trysnive më të forta të këtij profesioni.
Si një makineri perfekte, skuadra madrilene udhëtoi drejt Ukrainës, kryeqytetit të saj me historinë e tij krenare, dhe monumentet e shkëlqyera, që kërkon të jetë sa më shumë pjesë e Europës.
Përveç përvojës së madhe dhe historisë unike të klubit, me 12 Champions të fituar, trajneri i Realit, Zidan, ka edhe fatin që nuk llogarit lojtarë të dëmtuar apo të pezulluar.
Madridi i pritur me interes të jashtëzakonshëm në Kiev, zhvilloi stërvitjen e fundit para finales me të gjithë lojtarët të gatshëm.
Zidan mund të zgjedhë formacionin që dëshiron, por a mendon ai se skuadra e tij është favorite?
Zidan: “Favoritë nuk jemi as ne dhe s Liverpuli. Shanset janë të barabarta, si në çdo finale. E sigurt është vetëm që do të jetë një ndeshje e madhe. Patjetër që duhet shumë punë për të arritur në një finale. Natyrisht, ne kemi edhe shumë talent, por edhe kemi punuar shumë. Nuk është aspak e lehtë të arrish në një finale Championsi, aq më tepër të arrish tri herë radhazi. Nga ana tjetër është kënaqësi e madhe të luash në një ndeshje të tillë. Fakti që mund të fitoj Championsin e tretë radhazi do të thotë se kjo është natyra ime, të jem konkurrues, të synoj për të fituar gjithçka”.
Kapitenit Sergio Ramos iu bë një pyetje që është diskutuar gjatë këto kohë, pra pas dy finaleve radhazi, a ka ende uri Reali për të fituar sërish?
Ramos: “Vetë fakti që jemi në një finale të tillë, është një motivacion ekstra. Gjithnjë mendoj se ne kemi një mision, që të fitojmë gjithnjë, të jemi gjithnjë të uritur. Është fantastike që kemi sërish mundësi të luajmë një finale të Championsit, dhe është një privilegj që të mbrojmë sërish titullin e fituar”.
Liverpuli, ndërkaq, bëri thuajse të njëjtën rrugë drejt finales, që nga qyteti I tij në brigjet e Atlantikut në Angli, e deri në Kiev.
As për të nuk mungoi interesimi, pasi flitet për një klub 5 herë kampion të Europës, dhe që ka në përbërje disa nga lojtarët më të shkëlqyer të sezonit, si Salah, Mane apo Firmino.
Jo vetëm kaq, por Liverpuli është cilësuar ekip më i veçantë në Europë me futbollin e praktikuar nga trajneri Jurgen Klop, lojë që cilësohet si “eksplozive” apo si “Heavy Metal”.
As Klopi nuk ka probleme në ekip, madje në dispozicion i është kthyer edhe mesfushori i dëmtuar prej kohësh, Emre Xhan.
Përpara spektaklit të finales, Klop dha si zakonisht spektaklin paraprak, atë në konferencën për shtyp.
Klop: “Si mund ta di unë këtë? Nuk kam qenë kurrë tri herë radhazi në finalen e Championsit, por padyshim kjo do të thotë përvojë e madhe që ndihmon shumë. Jam tërësisht i sigurt se Reali do ta nisë ndeshjen me më shumë besim sesa ne, por kjo nuk më shqetëson, pasi është vetëm fillimi i ndeshjes, jo fundi. Jemi përgatitur për dy javë me radhë për këtë finale, ne jemi Liverpuli, një klub që ka fituar shumë. Nga lojtarët kërkoj vetëm që të tregojnë karakter të fortë, pasi vetëm kështu mund të fitohet”.
Një gazetar brazilian ngacmon kapitenin Henderson, duke i kujtuar se dikur ishte zëvendësues i ish-kapitenit Xherrard.
Henderson: “Jemi të lumtur që ndodhemi në finale. Këtu nuk është fjala vetëm për mua, për një lojtar, por për një skuadër. Ne duam të bëjmë atë që bëri skuadra dhe Xherrardi në vitin 2005. Duam të mbetemi në histori si fitues të Championsit”.
Mbrojtësi Virgil Van Dajk gjykon se “Reali kurrë nuk ka luajtur më parë ndaj një skuadre si kjo e jona”, duke theksuar stilin agresiv të Liverpulit.
Në stadiumin “Olimpik”, kuriozitet nuk ishin vetëm dy ekipet me yjet e tyre, por edhe një vajzë e re. Dua Lipa, këngëtarja angleze me origjinë shqiptare e Kosovës, që do të këndojë në ceremoninë e hapjes së finales.
Vajza 22-vjeçare, ajo që arriti në moshën më të re 1 milionë ndjekës në Ju-Tub (You Tube), do të interpretojë disa nga këngët e albumit që mban emrin e saj, “Dua Lipa”.
Ajo u shpreh e nderuar dhe e emocionuar që u zgjodh nga UEFA për të kënduar në një eveniment të tillë, siç shprehet edhe në këtë intervistë me gjigandin televiziv amerikan, ESPN.
Në një park të qytetit, ndërkaq, ukrainasit kishin organizuar një garë simbolike mes dy ekipeve, mes dy ushtruesve të shtangës. Në të, fitoi djali me fanelën liverpulase, por kompanitë e basteve nuk kanë dyshime se favorit është Reali.
Madrilenët kanë koeficientin 1.65 për të ngritur kupën, ndërsa anglezët e kanë 2.30, pavarësisht nëse kjo ndodh në 90 minuta, në 120 apo pas penalltive.
Fitorja e Realit jepet 2.15, barazimi 3.80 dhe fitorja e Liverpulit ka kuotë 3.25. Finalja e madhe e Championsit nis në orën 20:45. /abcnews.al