Nuk janë kohë të mira për Real Madrid. Më shumë për Xabi Alonso. Humbja në Champions kundër Manchester City, pavarësisht paraqitjes së mirë të “los blancos” dhe konfirmimi me gjysmë zëri nga klubi, nuk duhet ta lenë të qetë trajnerin.
Sipas mediave madrilene, gjithmonë të mirë informuara për punët e Real si “Marca” apo “AS”, Xabi Alonso nuk mund të festojë në këto ditë të fundit të vitit. Mbi teknikun rëndon një ultimatum, që lidhet me tre ndeshjet e mbetura të 2025.
Real Madrid do të luajë si fillim në fushën e Alaves këtë fundjavë, më pas në Kupën e Mbretit kundër modestëve të Talavera dhe në fund kundër Sevilla. Në këtë tre sfida, Alonso duhet të marrë tre fitore për të shpëtuar pankinën e tij, përpara se të rikthehet në fillim të vitit të ardhshëm për një tjetër test në derbin kundër Atletiko për gjysmëfinalet e Superkupës.
Në pritje të rezultateve, në klubin “merengues” nuk duan të kapen të papërgatitur. Po sipas mediave iberike, presidenti Florentino Perez po mendon që tani për pasardhësin e Xabi Alonso në pankinë.
Dëshira e numrit një të klubit madrilen është një rikthim i bujshëm i Zinedine Zidane, por ky mision është I vështirë, pasi “Zizou” i është premtuar kombëtarja e Francës menjëherë pas Botërorit të ardhshëm./abcnews.al

