Shanset e dyta janë të ralla në jetë dhe sidomos në futboll. Por Real Madrid iu dha mundësia për të marrë shumë shpejt revanshin pas humbjes dramatike kundër Benfikës në ndeshjen e fundit të fazës së ligës në Champions, që la rekordmenët e këtij turneu jashtë zonës së kualifikimit direkt.
Shorti i hedhur nga UEFA përcaktoi përballjet në play off e kompeticionit, duke vendosur madrilenët edhe një herë përballë formacionit të drejtuar nga Jose Mourinho.
Në këtë mënyrë, “los blankos” kanë mundësinë e artë për “hakmarrje” ndaj ish trajnerit të tyre, por pas asaj që ndodhi në mesjavën e fundit duhet të jenë të kujdesshëm.
Shorti përcaktoi edhe përballjet e tjera në play off e Champions, ndërsa ashtu siç pritej rruga e skuadrave italiane nuk do të jetë aspak e lehtë.
Inter do të luajë në transfertën e norvegjezëve të Bodo Glimt, ndërsa jashtë fushe Atalanta e Berat Gjimshitit do të përballet me Borussia Dortmund dhe Juventus me turqit e Gallatasaray.
Në play off e Champions do të luhet edhe një derbi francez, pasi kampionët në fuqi të Paris SG u shërtuan kundër Monaco dhe sfida e parë do të luhet në Principatë.
Në përballjet e tjera, në këtë raund të turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube, Atletico Madrid sfidon Club Bruge, Njukasëll luan kundër Qarabag, ndërsa Olympiacos prêt Bayer Leverkusen.
Sfidat e vajtjes në play off e Champions League do të luhen më 17 dhe 18 shkurt, ndërsa ato të kthimit më 24 dhe 25 shkurt.
Më pas do të hidhet një tjetër shorti që do të përcaktojë rrugën e skuadrave të kualifikuara nga faza e 1/8 deri në finalen e Budapestit në program më 30 maj./abcnews.al


