Pritej “El Clasico” dhe “El Clasico” do të jetë. Real Madrid dhe Barcelona do të përballen në finalen e Superkupës së Spanjës në një tjetër shfaqe të futbollit.
Skuadra madrilene iu përgjigj nga distanca rivalëve të përjetshëm, duke fituar 2-1 derbin kundër Atletico në gjysmëfinalen e dytë për trofeun që edhe një herë do të jepet të dielën në Arabinë Saudite.
“Los Blancos” e vendosën menjëherë sfidën në rrugën e duhur, pasi pa u plotësuar dy minutat e para, kaluan në epërsi me Federico Valverde.
Pavarësisht rasteve të shumta, goli i uruguajanit mbeti në fuqi deri në fundin e pjesës së parë.
Pas pushimit, Real Madrid dyfishoi shpejt shifrat.
Në minutën e 55-të, Rodrygo ndali topin në rrjetë, ndërsa realizimi i sulmuesit brazilian do të rezultonte vendimtar.
Kjo pasi vetëm tre minuta më pas, Sorloth rihapi ndeshjen, duke ngushtuar shifrat për Atletico.
Gjithsesi, për skuadrën e “Cholo” Simeone nuk mjaftuan përpjekjet më vijim të futbollistëve në fushë dhe teknikut në pankinë, që ndezi sfidën duke shtuar tensionin në maksimum.
Në fund e gjithë festa ishte për Real Madrid, që të dielën në mbrëmje do të kërkojë trofeun e parë sezonal në një tjetër kapitull të sfidës së përjetshme të futbollin spanjoll.


