Huazimi te Milan, duket të ketë qenë i duhuri. “Fantazisti” maroken, Brazhim Diaz është kthyer në një nga lojtërët më të spikatur, te “Galaktikët” e Real Madrid, këtë sezon, teksa ka qenë në disa raste tejet vendimtar me golat e tij, siç ishte edhe “perla” e shënuar në sfidën e parë, ndaj RB Leipzig, që praktikisht i dhuroi “Los Blancos”, kualifikimin në çerekfinalet e Champions League.
Mirëpo, duket se kjo formë e “fantazistit” të sulmit, nuk ka mahnitur vetëm të tijët, teksa sipas raportimeve më të fundit, të mediave spanjolle, pas 24-vjeçarit janë vënë një sërë klubesh, të cilat kërkojnë transferimin e tij, qoftë në mënyrë të përhershme apo edhe në formë huazimi, për një apo dy sezone, siç bënë edhe “Djajtë” e Milanos.
Megjithatë, drejtuesit e “Los Blancos” nuk e mendojnë aspak shitjen e tij, madje tashmë nga 20 milionë euro që e vlerësonin kartonin e tij pas mbarimit të huazimit në Itali, tashmë Brahim Diaz për klubin spanjoll vlen jo më pak se 60 milionë euro, një shifër vërtetë e lartë, që do të pranohej si ofertë vetëm në rast se lojtari kërkon të largohet.
Ndërkaq, siç thekuam edhe pak më lart, Brahim Diaz është kthyer në një nga lojtarët kyç, në skemat e teknikut, Carlo Ancelotti, sidomos sa i përket zëvendësimeve pikante, teksa këtë sezon, “fantazisti” maroken ka zbritur në fushë plot 34 herë, ku ka shënuar 9 gola e ka asistuar 5 të tjerë. /i.m /abcnews.al