Nënkryetari i KQZ, Denar Biba, rrëzoi me forcë të gjitha dyshimet e ngritura nga Opozita pas publikimit të një audio-përgjimit të një bisede mes tij dhe gjyqtarit të Strasburgut, Ledi Bianku. Në një dalje për mediat, Biba tha se regjistrimi audio është i manipuluar, pasi është prerë dhe nxjerrë nga konteksti për qëllime politike.
“Jam i ofenduar nga gjithë kjo që po ndodh sesi një bisedë mes dy miqsh është trasnfosmuar, është prerë, është copëtuar vetëm për t’u paraqitur në këtë mënyrë vetëm për përfitime politike”.
Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba, mbajti këtë qëndrim në daljen e tij të parë para kamerave pas publikimit të një audio-përgjimi mes tij dhe anëtarit të Gjykatës së Strasburgurt, Ledi Bianku. Biba theksoi se në vitin 2014 kishte qenë kryetar i Komisionit të Prokurorimit Publik dhe si ekspert i të drejtës kushtetuese kishte shkuar në Strasburg në mbështetje të një grupi zyrtar të kryesuar nga zv.kryeministri i kohës, Niko Peleshi.
“Për të kërkuar publikisht, zyrtarisht shtyrje të afatit për detyrimin që kishte shteti shqiptar për të paguar menjëherë një shumë të konsiderueshme parash për pronarët e shpronësuar”.
Gjatë kësaj vizite ai ka takuar mikun e tij Bianku, ku edhe ka shkëmbyer mendime rreth çështjes.
“Mesa kujtoj ka qenë deri diku i prerë dhe mendonte që nuk do të na jepej mundësia për një shtyrje të dytë apo të tretë.”
Për frazën e denoncuar si kompromentuese, Biba tha se ishte vetëm një përgjigje për interesimin e Biankut ndaj karrierës së tij profesionale, ndërsa këmbënguli në manipulimin e audiopërgjimit të publikuar.
“Më ka thënë pse e pranove këtë detyrë kur ti kishte për dëshirë tënden, aspiratë tënden Gjykatën Kushtetuese dhe Avokaturën e Shtetit. I kam thënë që me porosi të kryeministrit, z. Agaçi më ofroi këtë detyrë fillimisht nuk e pranova sepse nuk ishte në aspiratat e mia, pastaj e vlerësova ta bëja. Është thjesht e pamundur, e ritheksoj, që të shantazhohej dikush i cili praktikisht nuk kishte gjë në dorë. Në asnjë lloj rrethane nuk ka qenë ndërhyrje e paligjshme sikundër është përpjekur të thuhet. Nuk mund të ndodhte. Mjafton të dali biseda e plotë dhe e pacensuruar dhe do të kuptohet që ka qenë një bisedë mes dy miqsh.”/abcnews.al