Reagon BE, taksa për lëngjet e frutave dhe gjalpin kikirik nga SHBA

schedule19:57 - 7 Mars, 2018

schedule 19:57 - 7 Mars, 2018

Bashkimi Europian ka publikuar këtë të mërkurë masat e para për produktet amerikane, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të administratës Trump për rritjen e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar.

Pasi dënoi planin e presidentit amerikan Donald Trump për rritjen e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar, Bashkimi Europian ka bërë publike këtë të mërkurë masat reciproke për produktet amerikane. Në një deklaratë për mediat, komisionerja për Tregtinë, Cecilia Malmstrom, ka saktësuar se masat do të prekin gjalpin kikirik, lëngun e portokallit, boronicën, uiskin, si dhe çelikun e produkte të tjera industriale amerikane.

Malmstrom ka nënvizuar se BE e sheh me skepticizëm justifikimin e Shteteve të Bashkuara, se rritja me 25 dhe 10 për qind e tarifave për çelikun dhe aluminin bëhet për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare. “Ne kemi dyshime serioze për këtë justifikim. Nuk e kuptojmë se si Bashkimi Europian, mik dhe aleat në NATO, mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Për ne, ky justifikim është tërësisht i padrejtë”, ka thënë Malmstrom. Komisionerja ka bërë me dije se së shpejti BE do të nisë procedurat për hyrjen në fuqi të masave në Organizatën Botërore të Tregtisë, bashkë me vendet e tjera anëtare. “Nga sa kemi mësuar, motivi i vërtetë i vendimit të Shteteve të Bashkuara është i karakterit ekonomik dhe nuk lidhet me sigurinë kombëtare”, ka thënë Malmstrom. Ajo ka shtuar se masat që do të marrë BE do të mbulojnë humbjet që do të pësojë Unioni nga taksat e vendosura nga pala amerikane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!