SPAK përmes një njoftimi ka sqaruar mënyrën e përzgjedhjes së aplikantëve në Byronë Kombëtare e Hetimit, dy ditë pasi një prej aplikantëve të skualifikuar nga gara paditi drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, kreun e SPAK-ut, Arben Kraja dhe dy anëtarët e Komisionit Vlerësues, Dritan Prençi e Vladimir Mara në Gjykatën Administrative, për manipulim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve.
Përmes një reagimi zyrtar, SPAK sqaron se kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish.
Në reagim shkruhet se të gjitha hapat e përzgjedhjes së aplikantëve janë ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë.
Gjithashtu në reagim shkruhet se SPAK beson se këto standarte janë të larta për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para, duke mos pranuar akuzat e ngritura.
“Byroja Kombëtare e Hetimit, me qëllim përmbushjen e detyrimeve të saj ndaj popullit shqiptar, duhet t’ju përmbahet standarteve më të larta. Me këtë qëllim, kriteret për t’u bërë një hetues janë të vështira dhe janë zgjedhur të tilla për të krijuar një grup unik dhe të përzgjedhur hetuesish.
Të gjithë hapat e procesit të përzgjedhjes, shumë prej tyre të ndërtuar sipas modelit të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara, janë rishikuar prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparencë.
Këta hapa përfshijnë verifikimin e aplikuesve për përmbushjen e kritereve, provimin me shkrim të arsyetimit logjik, testin fizik, shkrimin e esesë, intervistën me panel, testin e poligrafit dhe verifikimin e pasurisë dhe figurës.
Ndërkohë që kandidatët kanë hedhur këta hapa, janë duke u mbikëqyrur prej një komisioni të përbërë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përzgjedhur në mënyrë rastësore, dhe prej Komisionit Ndërkombëtar për të siguruar që këto faza kryhen dhe pikëzohen në mënyrën më të drejtë dhe transparente të mundshme.
SPAK beson se këto standarde të larta do të jenë faktorë të rëndësishëm për të siguruar që hetuesit e BKH-së janë të përgatitur dhe të aftë për të kryer punën e vështirë që i pret para”.
Padia u depozitua dy ditë më parë në gjykatën administrative nga një aplikant i cili është skualifikuar nga gara. Ai pretendonte se janë bërë manipulime në përzgjedhje dhe me të janë bashkuar edhe kandidatë të tjerë të skualifikuar.
Byroja Kombëtare e Hetimit ka hapur aplikimet për grupin e ri të hetuesve.
Në fund të këtij procesi do të zgjidhen 60 hetues që më pas do të trajnohen nga FBI dhe do të përbëjnë të gjithë grupin e hetuesve në BKH, e cila do të hetojë zyrtarët e lartë të përfshirë në krim dhe korrupsion.
n.d./abcnews.al