Reagim i ashpër nga SHBA për taksën, Grenell: Nuk mbështesim vendimin gjysmak, Kurti po bën një gabim serioz

schedule23:48 - 27 Shkurt, 2020

schedule23:48 - 27 Shkurt, 2020

I dërguar i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të hequr në mënyrë të pjesshme dhe me afate taksën ndaj mallrave serbe. Në një reagim në Twitter, Grenell thotë se Kosovës i është kërkuar heqja e plotë e taksës.

“Ne nuk e mbështesim vendimin gjysmak të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të bien plotësisht. Z. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo u bë e qartë për Presidentin Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”. 

Qendrimi i Grenell vjen disa orë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “gjatë javës së ardhshme, qeveria e Kosovës merr vendim që nga data 15 mars e këtij viti të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”.

Ai i bëri thirrje Serbisë që të zotohet se do t’i jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe të fillojë heqjen e barrierave tregtare jo tarifore ndaj Kosovës. Kurti tjeksoi se “në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor e rikthen tarifën për importet nga Serbia”./abcnews.al