Rasti “Tahiri”, mediat e huaja raportojnë vendimin e gjykatës

schedule14:07 - 14 Maj, 2018

schedule 14:07 - 14 Maj, 2018

Prej dy ditësh mediat e huaja vijojnë raportimet e tyre për vendimin e gjykatës që caktoi “arrest shtëpie” për ish- ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, nën akuzën e pjesëmarrjes në trafik ndërkombëtar droge.

Mediat ndërkombëtare vijojnë prej dy ditësh shkrimet në lidhje me dhënien e masës “arrest shtëpie” për Saimir Tahirin.

Në artikujt e tyre thuhet se ndaj ish-ministrit të Brendshëm, gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Asociated Press nënvizon se Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg”, por gjykata ka dhënë vetëm “arrest shtëpiak”. Tahiri do të përballet për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe për korrupsion.

Saimir Tahiri, 48 vjeç ishte ministër i Brendshëm gjatë viteve 2013-2017 në qeverinë socialiste të Shqipërisë dhe dha dorëheqjen si një ligjvënës një javë më parë. Ai akuzohet për lidhje me një grup kriminal të dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të kanabisit, thuhet më tej në shkrimin e Associated Press, i cili është cituar dhe nga Washington Post.

Në shkrim citohet dhe deklarata e avokatit mbrojtës të ish -ministrit, Maks Haxhia, i cili pretendon se prokurorët nuk kanë paraqitur dëshmi të reja që justifikojnë kufizimet në lirinë e klientit të tij. Haxhia tha se do të apelojë vendimin e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, Tiranë.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij u shpreh se respekton vendimin e gjykatës dhe bëri thirrje për “një proces të pavarur, transparent”. Ambasada e SHBA në Shqipëri përshëndeti arrestimin e Tahirit, duke thënë në një deklaratë se “ky rast i rëndësishëm korrupsioni do të vendoset në mënyrë të drejtë dhe transparente në gjykata”./abcnews.al