Rasti Ilvi Meta, Berisha: Qelitë si biruca, nuk them dot nëse u var vetë apo e vari xhelati

schedule13:10 - 6 Maj, 2022

schedule 13:10 - 6 Maj, 2022

Një vrasje me ose pa dashje shtetërore. Kështu e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha rastin e të riut Ilvi Meta i cili dyshohet se kreu vetëvrasje në ambientet e Komisariatit të Kavajës. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se nuk mund të akuzojë njeri, por në të njëjtën kohë as nuk mund ta konfirmojë që Meta u vetëvar.

“Ilvi Meta humbi jetën në rrethana misterioze në qelitë e zeza të narko-komisariatit të Policisë Kavajë. Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje këtë tragjedi njerëzore. Një i ri, që merret për shoqërim apo i arrestuar në qelitë e komisariatit, kjo presupozon se ai hyn në vendin më të sigurt për jetën e tij dhe s’mund të ketë vend tjetër më të sigurt. 

Autopsia tregon shenjë laku, vetëvarje apo e vari xhelati këtë nuk e di. Nuk mund të akuzoj njeri, por nuk mund të konfirmoj se vrau veten. Ilvi, sipas dëshmive, ishte një djalë i hedhur pa asnjë lloj shenje të problemit më të vogël psikologjik apo psiqik. Ai u arrestua me një provë absolutisht të paqëndrueshme…”

Ndërsa dënoi heshtjen e kryeministrit Edi Rama, drejtorit të përgjithshëm të Policisë se Shtetit, Gledis Nano, lideri historik i demokratëve kërkoi edhe dorëhqejen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Po ashtu, ai bëri të ditur se do t’i propozojë Komisionit të Rithemelimit që ditën e nesërme në çdo komisariat të vendit të ndiqen qirinj e të protestohet në heshtje kundër vrasjeve në komisariate. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!