Rasti i Ukrainës, Macron: Zgjerimi i BE-së s’mund të jetë zgjidhja e vetme për stabilitetin e fqinjëve të saj

schedule18:44 - 15 Qershor, 2022

schedule 18:44 - 15 Qershor, 2022

Presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur sot se anëtarësimi në Bashkimin Evropian “nuk mund të jetë e vetmja përgjigje për stabilitetin” e vendeve fqinje si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

“Para së gjithash, sepse është një proces që është me të drejtë kërkues dhe sepse ne gjithashtu duhet të vazhdojmë të thjeshtojmë Evropën tonë në mënyrë që të jetë më efikase,” tha Macron gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidenten moldave Maia Sandu të mërkurën në kryeqytetin e Moldavisë.

Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një komuniteti më të gjerë politik evropian për të bashkëpunuar mbi çështje kyçe si mbrojtja dhe siguria, të cilat nuk do të zëvendësonin aderimin.

Kujtojmë se liderët e BE-së do të mblidhen në fund të qershorit në Bruksel për të diskutuar aplikimet për kandidaturë të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. Ky do të jetë samiti i fundit i BE-së i mbajtur nën presidencën franceze.

“Roli im është të krijoj konsensus”, tha Macron.

Franca ka marrë gjithashtu iniciativën për të udhëhequr Platformën Evropiane të Mbështetjes së Moldavisë, e cila i premton vendit të Evropës Lindore 650 milionë euro (675 milionë dollarë) ndihmë, sipas Macron. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!