Rasti i Agim Kajmakut, Bardhi publikon dokumentet: U arrestua në Greqi

schedule12:25 - 26 Gusht, 2019

schedule 12:25 - 26 Gusht, 2019

Partia Demokratike ka publikuar dokumente për dënimin e kryebashkiakut socialist të Vorës, Agim Kajmaku. Numri dy i demokratëve, Gazment Bardhi publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës për dënimin e Agim Kajmakut për falsifikim të kartëmonedhave nën identitetin Jorgo Toto. Demokratët pretendojnë se kryeministri Rama ka qenë në dijeni të këtij dënimi por ka heshtur duke pritur që vendimi i gjykatës të mos bëhet publik.  

Partia Demokratike vendosi edhe njëherë të jetë një hap përpara organit të akuzës. Dokumentet për një tjetër kryebashkiak me çështje të hapura me drejtësinë u bënë publike nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

“Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek. Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi”.

Në vendimin e lëshuar nga autoritetet greke konstatohet se bëhet fjalë për një pagesë prej 12 mijë eurosh për të blerë fidanë agrumesh në qytetin e Artës. Por nga totali i shumës, 4850 euro ose 97 prerje kartëmonedhash 50 euro ishin false. Prokuroria në shtetin grek, pasi konstatoi veprën penale të konsumuar nga Kajmaku kërkoi një dënim jo më të ulet se 10 vjet heqje lirie, vendim që nuk u zbatua asnjëherë.

“Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, përdoruesi i parave të falsifikuara në kërkim në Greqi, në Agim Kajmaku, biznesmeni i duhur për politikën kriminale të Edi Ramës.”

Për numrin dy të demokratëve kryeministri ka të gjitha mundësitë që të mësonte të vërtetën për kryebashkiakun e tij të Vorës, por heshti me shpresën që dënimi nuk do të bëhej publik.

Demokratët i kërkojnë Kajmakut largimin e tij nga detyra dhe Prokurorisë ta marrë menjëherë të pandehur për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, duke paralajmëruar se kanë të tjera prova mbi të kaluarën e kryebashkiakut të Vorës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!