Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Rasti “Banjska”, me kërkesë të prokurorit mbyllet për publikun seanca

schedule14:48 - 24 Korrik, 2025

schedule 14:48 - 24 Korrik, 2025

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, është mbyllur për publikun seanca e së enjtes ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliç, Dushan Maksimoviç dhe Blagoje Spasojeviç.

Fillimisht, prokurori special Naim Abazi propozoi që seanca e kësaj të enjteje të mbyllet për publikun, me arsyetimin se dëshmia e dëshmitarit Velko Iliç, është e ndjeshme dhe përfshihen informacione në çështjen e sigurisë kombëtare, strukturave paralele dhe organizimeve të tyre ilegale në veri të vendit.

Sipas tij, meqenëse dëshmia e dëshmitarit lidhet kryesisht me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet me strukturat e dyshuara ilegale, përfshinë elemente që mund të dërgojnë në identifikimin edhe të familjes së dëshmitarit, nëse kjo dëshmi jepet në prani të publikut dhe mediave.

Dëshmitari Velko Iliç tha se nuk është mirë me shëndet dhe se për këtë ka edhe dokumente, të cilat ia ka dorëzuar prokurorit. Andaj, tha se nuk mund të qëndrojë gjatë në seancë.

Tre të akuzuarit: Vladimir Toliç, Dushan Maksimoviç dhe Blagoje Spasojeviç, u deklaruan të pafajshëm në seancën e 17 prillit 2025.

Deri më tani janë dhënë disa dëshmi në këtë rast nga zyrtarë policorë për këtë sulm terrorist. Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiç dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Ata ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe pastrimi i parave.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!