Rastet e diskriminimit arrijnë kulmin në Gjermani, rriten me 14% në vitin 2022

schedule22:10 - 27 Qershor, 2023

schedule 22:10 - 27 Qershor, 2023

Numri i personave që kanë paraqitur ankesa për diskriminim në Gjermani është rritur 14% në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, duke arritur në gjithsej 8827 raste.

“Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë njerëz që paraqesin denoncime në Agjencinë Federale kundër Diskriminimit sa kemi pasur vitin e kaluar”, tha Ferda Ataman, shefja e zyrës kundër diskriminimit të Gjermanisë, duke njoftuar raportin në një konferencë për media në Berlin.

Ataman theksoi se shumë vende në Evropë kanë ligje që sigurojnë trajtim të barabartë për individët dhe shpjegoi se diskriminimi i bazuar në faktorë të tillë si mosha, paaftësia, gjinia, orientimi seksual, feja, botëkuptimi, raca dhe antisemitizmi është i ndaluar në bazë të Aktit të Gjermanisë për Trajtimin e Përgjithshëm të Barabartë (AGG).

Ajo theksoi se numri i madh i ankesave, respektivisht 43% e tyre kishin të bëjnë me diskriminimin racor, 27% për diskriminim ndaj personave me aftësi të kufizuara, 21% për diskriminim në bazë gjinore, 10% kishin të bëjnë me moshën dhe 6% bazoheshin në fe dhe botëkuptim.

Shumica e denoncimeve, theksoi ajo, kishin të bëjnë me “qasjen në shërbime” dhe “botën e punës”.

Ataman po ashtu theksoi se ankesat janë “maja e ajsbergut” dhe nuk pasqyrojnë plotësisht shkallën e diskriminimit në Gjermani.

“Numrat e tregojnë qartë këtë. Kemi marrë më shumë denoncime sesa mund të përballojmë”, tha ajo.

Më tej, Ataman tha se zgjedhjet e së dielës të kandidatit të Alternativës për Gjermanisë (AfD) në Sonneberg janë “pika më e ulët” në historinë e Gjermanisë Federale, duke marrë parasysh qëndrimin populist, islamofobik dhe anti-emigrant të kandidatit të së djathtës ekstreme.

Partia e ekstremit të djathtë arriti fitoren e saj të parë në zgjedhjet e këshillit të qarkut në Gjermani, duke shënuar një pikë kthese të rëndësishme në peizazhin politik të vendit.

Rezultati po përshkruhet si një moment vendimtar për politikën gjermane.

Ajo u bëri thirrje politikanëve që të dëgjojnë ata që ushqejnë shqetësime dhe frikë, në vend që të fokusohen tek ata që votojnë për partitë e ekstremit të djathtë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!