Rasell Uestbruk vendosi një rekord të ri të NBA-së

schedule13:46 - 12 Shkurt, 2019

schedule 13:46 - 12 Shkurt, 2019

Rasëll Uestbruk vendosi një tjetër rekord të basketbollit amerikan. Ylli i Oklahomës kaloi legjendarin Uilt Çembërlen, ndërsa tani synon të fitojë titullin.

Është padyshim lojtari më i mirë atletikisht i NBA-së. Rasëll Uestbruk është jo vetëm i fuqishëm, por ka kërcim të shkëlqyer, aftësi akrobatike dhe gjimnastikore që e bëjnë të veçantë edhe në një ligë të veçantë si NBA-ja.

Pa ulur aspak poshtë Lebron Xhejmsin, Xhejms Hardenin, Kevin Durantin, Janis Antetokumpon apo ndonjë tjetër, ylli i Oklahomës është i papërsëritshëm.

Po ashtu i paimitueshëm është edhe me rekordet e tij, në të tre elementët kryesorë të basketbollit, pikët, topat në tabela dhe asistet.

Në fitoren e Oklahomës ndaj Portlendit, ai vendosi rekordin e ri të NBA-së me 10 ndeshje radhazi me tripëll dabëll, duke thyer heroizmin e dikurshëm të Uilt Çembërlenit, 51 vjet më parë.

Uestbruku shënoi 21 pikë, kapi 14 topa në tabela e shërbeu 11 asistë.

Ai arriti që vjen një rekord tjetër, që nuk e kishin bërë dot as Oskar Robertsoni apo Çembërleni, duke realizuar dy sezone radhazi me mesatare tripëll dabëlli.

Uestbruk është në pozita shumë të mira për t’ia dalë edhe për sezonin e tretë po radhazi.

Falë tij dhe Pol Xhorxhit, Oklahoma është bërë një skuadër e denjë për titull, me 10 fitore në 11 ndeshjet e fundit.

Formacioni i Uestbrukut është në vend të tretë në Perëndim, shumë pranë Denverit.

Oklahoma e mundi Portlendin 120-111, falë edhe një paraqitjeje të jashtëzakonshme të Pol Xhorxhit që shënoi 47 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë.

Për dy yjet, rekordet tashmë duken pak, dhe synimi kryesor është titulli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!