Rasëll Uestbruk fitoi duelin me ish-shokun e tij të skuadrës, Kevin Durant, në përballjen mes tyre në basketbollin amerikan. Uestbruk iu afrua niveleve të larta të një viti më parë
Sikur ishte harruar se sezonin e kaluar dominoi NBA-në.
Rasëll Uestbruk zgjodhi pikërisht arenën e duhur për t’u kthyer në nivelet që e bënë vjet lojtarin më të mirë të sezonit në basketbollin amerikan.
Në Pallatin e tij të Sportit, në Oklahomë, dhe përballë kampiones në fuqi, Golden Stejt Uorriors.
Edhe diçka tjetër, aspak të vogël.
Përballë tij ishte ish-kapiteni dhe ish-shoku i skuadrës, që vjet kaloi tek Golden Stejti, Kevin Durant.
Uestbruk deklaroi se kjo ishte ndeshje si të tjerat, por mënyra sesi e luajti nuk u duk aspak e tillë.
Ai thuajse arriti një tripëll dabëll, me 34 pikë, 10 topa në tabela dhe 9 asistë.
Po ashtu, i vodhi edhe 4 topa kundërshtarëve.
Me mllefin e mbledhur pas 4 humbjeve radhazi edicionin e kaluar, Uestbruk fitoi duelin me Durantin, por po ashtu edhe me Stefën Kërrin.
Ky i fundit shënoi 24 pikë, Durant 21, ndërsa kapiteni i kampionëve, Klej Tompson, jo më shumë se 9.
Oklahoma fitoi 108-91, i pari sukses që kur Durant u largua, por gjithsesi pozitat e saj në renditje nuk janë edhe aq të mira.
Uestbruk me shokë kanë vetëm 8 fitore dhe 9 humbje, ndërsa Golden Stejti zbriti në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore, e lënë pas nga Hjustoni./abnews.al