Raporti zviceran: Anëtari i Vetëvendosjes mund të jetë vrarë në burgun e Prizrenit

schedule14:03 - 24 Tetor, 2019

schedule 14:03 - 24 Tetor, 2019

Janë publikuar konkluzionet e hetimeve të pavarura të një instituti zviceran lidhur me rrethanat e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari në burgun e Prizrenit. Sipas hetimeve dyshimet janë se Dehari është vrarë.

Familja Dehari qysh në mëngjes ja kishin mësyrë prokurorisë Themelore të Prizrenit për të marrë raportin e pavarur të institutit zviceran i cili sqaronte rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit rreth tri vjet më parë.

Ky institut në raportin e dërguar në prokurori ka rekomanduar hapjen e hetimeve për rastin Dehari pasi që dyshimet kanë të bëjnë me vrasje e jo vetëvrasje si ishte cilësuar ky rast. Sipas raportit intervenimi i një personi të tretë në këtë proces fatal duhet të kihet parasysh.

Prokuroria Themelore e Prizrenit nëpërmjet një komunikate për media ka bërë të ditur se bazuar në të gjeturat e raportit zvicerran do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do ti ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Astrit Dehari aktivist i Vetëvendosjes u raportua të jetë gjetur i vdekur në burgun e Prizrenit më 5 Nëntor të vitit 2016, dhe dyshimet e para sipas hetuesve kishin të bënin me vetëvrasje. Ai ndodhej në paraburgim pasi akuzohej për sulm me mjet shpërthyes në parlamentin e Kosovës.

Ndonëse familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje kundërshtonin dhe gjithnjë flisnin për një vrasje pas rreth dy javësh prokuroria Themelore e Prizrenit publikoi raportin e autopsisë në bazë të së cilit konkludonin se Dehari ka vdekur nga asfiksia si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara.

Por familja asnjëherë nuk e pranoi këtë raport si të vërtetë dhe kërkoi hetime të pavarura dhe me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë këto hetime iu besuan një institute të Zvicrës./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!